PDK kërkon ndryshime në Speciale, propozon kthimin e Supremes në Kosovë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvend një Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përmes të cilit synon ndryshime në funksionimin e këtij mekanizmi gjyqësor.
Sipas burimeve një nga ndryshimet kryesore të propozuara nga PDK-ja lidhet me shkallën supreme të Dhomave të Specializuara.
Partia synon që kjo shkallë të ushtrojë funksionin e saj në Kosovë, në vend se në Hagë, ku aktualisht zhvillohet veprimtaria e Dhomave të Specializuara, përfshirë panelet e Gjykatës Supreme.
Ndryshimi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit. Përmes këtij propozimi, PDK synon që funksionimi i Dhomave të Specializuara të ketë një formë më të qartë dhe të përcaktuar të kontrollit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Nisma e PDK-së vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, vendim të cilin kjo parti e ka kundërshtuar publikisht.
Sipas burimeve, kthimi i shkallës supreme në Kosovë dhe krijimi i një mekanizmi të mbikëqyrjes ndërkombëtare janë ndër pikat kryesore të Projektligjit të dorëzuar sot në Kuvend. /Telegrafi/