Gucati kërkon shfuqizimin e Speciales: OVL-UÇK mbështet çdo protestë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se OVL-UÇK do të mbështesë çdo protestë popullore, me kusht që ato të jenë paqësore.
Gucati tha se organizata do ta përkrahë edhe protestën e studentëve, ndërsa paralajmëroi se mundësia për organizimin e protestave nga OVL-UÇK do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë.
“Organizata e veteranëve gjithmonë do të jetë në mbështetje të çdo iniciative të protestës popullore”, deklaroi Gucati, duke theksuar se protestat nuk duhet të shoqërohen me dhunë.
Ai tha se OVL-UÇK do të vazhdojë të mbështesë protestat derisa, sipas tij, të arrihen qëllimet e tyre.
Gucati u deklarua edhe për Projektligjin e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai e vlerësoi si hap pozitiv nismën e PDK-së, por tha se qëndrimi i OVL-UÇK-së është më i gjerë.
“Është mirë që kanë dorëzuar, më mirë vonë se kurrë”, tha ai.
Megjithatë, Gucati kërkoi që partitë politike të bashkohen për të kërkuar shfuqizimin e plotë të Gjykatës Speciale.
Sipas tij, OVL-UÇK tashmë i ka dorëzuar edhe pesë pikat e saj lidhur me këtë çështje dhe pret që deputetët të mbështesin nismat për ndryshimin e situatës aktuale. /Telegrafi/