Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaAAK mbështet çdo nismë ligjore për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

AAK mbështet çdo nismë ligjore për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kryesuar nga Ardian Gjini, ka shprehur mbështetje për çdo nismë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Njoftimi vjen vetëm pak orë pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) propozoi ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e rikthyer çështjen e procesit në Hagë në qendër të debatit politik në Prishtinë.

“Aleanca mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Partia shpreh po ashtu bindjen se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin të pafajshëm: “Qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona dhe besojmë se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm. Për ta arritur një gjë të tillë, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që ky proces të përfundojë ashtu siç duhet, me drejtësi të plotë”.

Sipas AAK-së, ky qëndrim është në përputhje me pozicionin e saj institucional që nga fillimi i procesit gjyqësor. Partia thekson se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga UÇK-ja, ishte e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment