FOKUS – Irani premton vijimin e fluturimeve pavarësisht sanksioneve amerikane
TEHERAN, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Irani po përpiqet të ruajë fluturimet drejt destinacioneve ndërkombëtare, pavarësisht sanksioneve gjithëpërfshirëse të SHBA-së që synojnë sektorin e aviacionit të vendit, njoftuan sot zyrtarë iranianë.
“Deri tani, asnjë nga fluturimet ndërkombëtare të operuara nga kompanitë ajrore iraniane nuk është anuluar dhe fluturimet po zhvillohen sipas orarit”, deklaroi Majid Akhavan, zëdhënës i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit, për agjencinë e lajmeve ISNA.
Ai shtoi se pasagjerët do të informohen paraprakisht për çdo ndryshim në oraret e fluturimeve.
Kompania shtetërore “Iran Air” deklaroi gjithashtu se nuk kishte marrë asnjë udhëzim nga autoritetet e aviacionit civil në Turqi, Irak apo Azerbajxhan për pezullimin e fluturimeve.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi dje planet për të rritur presionin ndaj sektorit ajror të Iranit.
Në një intervistë, Bessent tha se synimi ishte ndalimi i të gjitha kompanive ajrore iraniane në mbarë botën, duke nisur nga sot.
Ai kërcënoi se vendet që u ofrojnë këtyre kompanive karburant, shërbime në tokë ose lejojnë shitjen e biletave mund të përjashtohen nga sistemi i dollarit amerikan.
“Si do ta bëjmë këtë? Nëse ato ulen, ju nuk mund t’u siguroni karburant, nuk mund t’u ofroni shërbime uljeje, nuk mund t’u shisni bileta, përndryshe do të përjashtoheni nga sistemi i dollarit”, tha Bessent për CNBC.
Uashingtoni vendosi sanksione të reja gjithëpërfshirëse ndaj sektorit të aviacionit iranian dy javë më parë, duke synuar 27 kompani ajrore.
Kompanitë e huaja dhe bankat përballen gjithashtu me pasoja të mundshme nëse vazhdojnë të bashkëpunojnë me kompanitë ajrore të sanksionuara.
Kompanitë ajrore ndërkombëtare kryesisht kanë shmangur fluturimet drejt Iranit që nga fillimi i luftës mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij në fund të shkurtit.