OKB – Trump u bën thirrje vendeve të largohen nga ICC-ja
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje sot vendeve të botës që të largohen në masë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
“U bëj thirrje të gjitha vendeve që janë anëtare të ICC-së të largohen menjëherë zyrtarisht nga ky institucion i pabindur”, deklaroi Trump gjatë fjalimit në debatin e Përgjithshëm të OKB-së, duke e cilësuar gjykatën si “jashtë kontrollit”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e njohin juridiksionin e GJNP-së dhe kanë shtuar vendosjen e sanksioneve ndaj gjykatës dhe përfaqësuesve të saj.
Gjykata është përballur me presion të madh nga Uashingtoni, veçanërisht për shkak të urdhërarrestit të lëshuar ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
GJNP-ja, me seli në Hagë, ka ndjekur penalisht krimet më të rënda, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, që nga viti 2002.
Komisioneri i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Lars Castellucci, kundërshtoi thirrjen e Trumpit.
“Krimet më të rënda nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar. Pikërisht për këtë ekziston Gjykata Ndërkombëtare Penale”, shkroi ai në rrjetin social X.
Castellucci theksoi se Gjermania qëndron në mbështetje të një GJNP-je të pavarur dhe efektive dhe do të vazhdojë ta përkrahë atë.
Më herët, gazeta “Wall Street Journal” raportoi se presidenti Trump po përgatiste sanksione ndaj gjykatës, të cilat përfundimisht mund të çonin në shkëputjen e saj nga një pjesë e madhe e sistemit financiar global.
GJNP-ja ndërhyn vetëm kur shtetet përkatëse refuzojnë të kryejnë hetime vetë ose nuk janë në gjendje t’i zhvillojnë ato.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund t’i referojë gjithashtu çështjet në gjykatë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka 125 shtete anëtare.
Përveç SHBA-së, edhe Izraeli, Rusia dhe Turqia nuk e njohin gjykatën.
Këto vende nuk i janë bashkuar Statutit të Romës dhe nuk pranojnë juridiksionin e përgjithshëm të GJNP-së mbi shtetasit e tyre dhe territorin e tyre.
GJNP-ja nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ndodhet gjithashtu në Hagë.
GJND-ja shqyrton mosmarrëveshjet midis shteteve dhe është gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara. /Ad.Ab./ a.jor.