Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia“Vlora Hyseni rrugës për Tiranë”, Ferhati: U dorëzua nga pala Kosovare tek autoritetet Shqiptare

“Vlora Hyseni rrugës për Tiranë”, Ferhati: U dorëzua nga pala Kosovare tek autoritetet Shqiptare

Gazetari Eni Ferhati ka folur në “Now” mbi çështjen e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe dorëzimin e saj tek autoritetet shqiptare.

Gazetari thekson se ish-drejtoresha është dorëzuar nga pala kosovare tek autoritetet shqiptare të kufirit në pikën e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë.

Sa i përket masave të sigurisë, Ferhati shpjegon se ajo ka një vendim gjyqësor në fuqi, konkretisht atë të “arrestit në shtëpi” dhe pezullimin e ushtrimit të detyrës ose funksionit publik.

“Vlora Hyseni është dorëzuar menjëherë tek autoritetet shqiptare të kufirit në pikën e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë, atje ku dhe ka deklaruar se kush është dhe është parë që ka dhe një vendim gjyqësor për të në fuqi, atë të arrestit në shtëpi dhe pezullimit të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik.

Ajo po shoqërohet tashmë, është rrugës nga pika e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë drejt Tiranës ku pritet të bëhet dhe ekzekutimi i masës”, tha ai.

Më tej, gazetari Ferhati tha se nga fakti që ajo u dorëzua brenda pak orëve tregon se nuk bëhet fjalë për një person që po i shmanget drejtësisë, duke hedhur poshtë aludimet e ngritura.

“Hyseni ka dy mundësi: të paraqitet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, atje ku do të bëhet dhe ekzekutimi i masës së sigurisë nëpërmjet agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ose direkt në banesën e saj, atje ku një hetues i BKH-së do t’i komunikojë vendimin e arrestit në shtëpi.

Mbetet për t’u parë se kush nga dy mundësitë do të ezaurohet nga ana e autoriteteve. Zonja Hyseni sipas informacioneve banon diku pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”. Duket që kjo është një rrethanë lehtësuese për zonjën Hyseni. Ka patur disa aludime. Aludimet kanë qenë për kohën kur doli kjo masë sigurie ndërkohë që zonja Hyseni ndodhej jashtë, edhe kjo e ka një shpjegim logjik.

Por deri në këto momente, për sa kohë është dorëzuar, nuk kemi të bëjmë me një njeri që po i shmanget drejtësisë le të themi, sepse është aluduar shumë gjatë ditës së sotme nëse do kthehet apo jo. Pikërisht brenda ditës dhe brenda pak orëve zonja Hyseni i është bindur vendimit gjyqësor dhe ka pranuar dorëzimin”, tha gazetari Ferhati.

Lini një koment