Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaNufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe rajonit: Koordinim sa më i ngushtë mes aleatëve

Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe rajonit: Koordinim sa më i ngushtë mes aleatëve

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC) dhe Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Brdo pri Kranju, Slloveni, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe adresimi i sfidave të përbashkëta në mjedisin e sotëm të sigurisë.

Gjatë Ministerialit, Nufi theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin aktiv në iniciativat e përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.

“Shqipëria vijon e palëkundur dhe në mënyrë aktive kontributin e saj në çdo iniciativë të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare. Task Forca Mjekësore Ballkanike është një prej tyre, si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë në drejtim të integrimit euroatlantik. Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, mbetet prioritare nevoja për një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet aleatëve e partnerëve me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive dhe garantimin e paqes”, u shpreh Nufi.

Lini një koment