Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaHoxha në Nju-Jork: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut ka mbetur pezull për shumë gjatë

Hoxha në Nju-Jork: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut ka mbetur pezull për shumë gjatë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kërkuar avancimin e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut (A5), duke thënë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim “ka mbetur pezull për shumë gjatë”.

Deklaratën Hoxha e bëri përmes një postimi në platformën X, pas takimit të ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, i cili u organizua në Nju-Jork nën kryesimin e Kroacisë. “Anëtarësimi i Kosovës ka mbetur pezull për shumë gjatë. Avancimi i kësaj çështjeje do të forconte kohezionin rajonal dhe do të rriste kapacitetin tonë kolektiv për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë”, u shpreh ai.

Ai theksoi se më shumë se dy dekada pas krijimit, Karta e Adriatikut mbetet shtyllë e rëndësishme e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit euroatlantik, ndërsa siguria sot shtrihet përtej kërcënimeve konvencionale.

Ndër sfidat e reja, ministri përmendi kërcënimet kibernetike, sigurinë energjetike dhe ndërhyrjen e huaj në informacion (FIMI). Sipas tij, një A5 e hapur, e përshtatshme ndaj ndryshimeve, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse nënkupton një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe mbetet thelbësore për të ardhmen e përbashkët euroatlantike.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment