GJKKO jep njoftim zyrtar: Nesër seancë pyetjeje me Vlora Hysenin, ish-drejtuesen e SHISH
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar seancat për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe të Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, SPAK ka paraqitur më 23 shtator 2026 kërkesat për marrjen në pyetje të tre personave nën hetim, ndaj të cilëve janë vendosur më herët masa sigurie.
Vlora Hyseni, e dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, ndodhet nën masën “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, Fatjon Kalluçi, i dyshuar për veprën penale të nenit 295/a/1, dhe Embro Sulejmani, i dyshuar për veprën penale të nenit 302/2, janë nën masën “arrest në burg”.
GJKKO ka bërë të ditur se seanca për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin do të zhvillohet më 24 shtator 2026, në orën 09:00.
Ndërsa seanca për marrjen në pyetje të Vlora Hysenit është caktuar po më 24 shtator 2026, në orën 12:00.