Kurti takohet me Mickoskin në Nju Jork: flasin për tunelin Prizren–Tetovë dhe energjinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Takimin e bëri të ditur vetë Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tregoi se me homologun e tij diskutoi për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë.
Kurti theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për realizimin e projektit të tunelit Prizren–Tetovë, duke e cilësuar atë si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, për zhvillimin e turizmit dhe për ekonomitë e të dyja vendeve.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe zbatimi i marrëveshjes për thëngjillin. Të dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë punën për realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe në sigurinë energjetike.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik,” shkroi Kurti.
Burimi: Klan Kosova