Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaRrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale pas vendimit të Hagës: “Na kanë çnjerëzuar”

Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale pas vendimit të Hagës: “Na kanë çnjerëzuar”

Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka dhënë një rrëfim prekës për Klan Kosova, në emisionin “Edicioni Special”, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me identitet të mbrojtur — fytyra e saj nuk shfaqet në intervistë — ajo shprehu zhgënjim të thellë dhe revoltë ndaj vendimit të gjykatës.

“Këto neve nuk na kanë pëlqyer dhe nuk do të na pëlqejnë kurrë. Pa dalur çlirimtarët prej atij vendi ku i mbajnë padrejtësisht, ai nuk është gjyq, ajo është tradhëti, politikë dhe ne këtë nuk e lejojmë”, tha e mbijetuara, duke e cilësuar procesin e Hagës si politikë dhe tradhëti, përderisa ish-krerët e UÇK-së mbahen, sipas saj, padrejtësisht.

Ajo u shpreh se proceset gjyqësore në Hagë e kanë dëmtuar rëndë imazhin e UÇK-së dhe të popullit shqiptar: “E kanë njollosur popullin, e kanë njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kanë njollosur çdo njeri që jeton në Kosovë, çdo shqiptar”.

Duke folur për dhunën e pësuar gjatë luftës, e mbijetuara tha: “Ata i kanë dhunuar femrat shqiptare, jo dhunim, por çnjerëzim, që nuk i ka pasur hije as një kafshe t’i bëjë ato gjëra, ata nuk janë njerëz, bashkë me këta të gjykatës së Hagës. Këta me qenë edhe më zi na kishin bërë, se ata çka na kanë bërë më përpara.”

Ajo shtoi: “Për hatër të serbëve, këta po na njollosinin neve, UÇK-në dhe çdo kënd që ka bërë vepra për Kosovën. Ne jemi shumë të mllefosur dhe të hidhëruara nga këto gjëra.”

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment