Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaEkspertët në Prishtinë: Integriteti i informacionit kërkon bashkëpunim mes institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile

Ekspertët në Prishtinë: Integriteti i informacionit kërkon bashkëpunim mes institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile

Integriteti i informacionit nuk mund të mbrohet nga një aktor i vetëm, por kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, mediave, platformave digjitale, verifikuesve të fakteve, akademisë dhe shoqërisë civile.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të konferencës “Who Protects Information Integrity? / Kush janë mbrojtësit e integritetit të informacionit?”, e cila u mbajt sot në Prishtinë, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Kosova, Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësuesve të institucioneve, misioneve diplomatike, mediave, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Diskutimet u përqendruan në sfidat që paraqesin dezinformimi, përmbajtjet e krijuara përmes inteligjencës artificiale, narrativat ndërkufitare dhe ndikimi i platformave digjitale në mjedisin informativ.

Fjalën hyrëse e mbajti David Marchesin nga Ambasada e Francës në Prishtinë, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti eksperti francez Vincent Couronne, drejtor dhe bashkëthemelues i “Les Surligneurs”, anëtar i Bordit të EFCSN dhe profesor në Sciences Po Saint-Germain dhe Sorbonne Law School.

Couronne theksoi se përgjegjësia për integritetin e informacionit duhet të jetë e përbashkët dhe se kjo çështje nuk mund t’u lihet vetëm platformave digjitale apo qeverive.

Sipas tij, nevojitet një ekosistem në të cilin përgjegjësitë ndahen ndërmjet autoriteteve të pavarura, mediave, gazetarëve, verifikuesve të fakteve dhe shoqërisë civile.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua edhe rregullimit të platformave digjitale dhe Aktit të BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA).

Në këtë kuadër, u theksua nevoja që Kosova dhe vendet e rajonit të përgatiten për përafrimin e kornizave të tyre ligjore dhe institucionale me standardet evropiane. Diskutimi përfshiu edhe ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje dhe zbatim, përcaktimin e autoriteteve përgjegjëse dhe garantimin e pavarësisë së tyre.

Couronne vuri në pah edhe rëndësinë e mekanizmave të besueshëm për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme, si dhe qasjen e studiuesve të verifikuar në të dhënat e platformave.

Gjatë konferencës, Festim Rizanaj nga Hibrid.info prezantoi zhvillimet dhe trendet e dezinformimit në Kosovë dhe rajon, duke përfshirë narrativat ndërkufitare dhe manipulimin e ndërhyrjen e huaj në informacion (FIMI).

Ndërkaq, Klodiana Kapo nga Faktoje prezantoi trendet e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit në Shqipëri.

Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe mediave. Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, foli për rregullimin e mediave audiovizuale, përgjegjësitë institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.

Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e AMPEK-ut, solli perspektivën e mediave private, përgjegjësinë e transmetuesve dhe sfidat e zbatimit të rregullimit në praktikë.

Ndërsa Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës u fokusua në edukimin medial, edukimin e gazetarëve dhe forcimin e reziliencës së publikut ndaj dezinformimit.

Në përfundim të diskutimeve u nënvizua se përballja me dezinformimin dhe ruajtja e integritetit të informacionit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, mediave, platformave teknologjike, akademisë, verifikuesve të fakteve dhe shoqërisë civile. /Telegrafi/

Lini një koment