Vazhdon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në diskutim edhe ndryshimi i Ligjit për Specialen
PRISHTINË — Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur sot, në mbledhjen e parë për legjislaturën e 11-të. Mbledhja kishte filluar rreth një orë para mesditës.
Fillimisht ishte planifikuar që në rend dite të jetë themelimi i komisioneve të rregullta parlamentare, ndër hapat kryesorë për funksionimin normal të punës së Kuvendit në këtë legjislaturë.
Por, sipas gazetares së Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, pjesë e diskutimit në këtë mbledhje do të jetë edhe kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Kjo kërkesë e PDK-së pritet të ngjallë debate të reja politike, teksa Kryesia e Kuvendit pritet të marrë qëndrim mbi hapat e mëtejshëm proceduralë.
Mbledhja e Kryesisë është duke vazhduar dhe pritet që më vonë gjatë ditës të publikohen më shumë detaje mbi pikat e diskutuara dhe vendimet e marra.
Burimi: Klan Kosova