Prattipati pret Isufajn, takohen për herë të dytë brenda shtatorit për forcimin e bashkëpunimit në sundimin e ligjit
E ngarkuara me detyrë e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, e ka pritur kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, në një takim që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sundimit të ligjit.
Ky është takimi i dytë mes tyre brenda shtatorit. Më 11 shtator, Prattipati kishte vizituar zyrat e Prokurorisë Speciale, ku kryeprokurori Isufaj i kishte dhuruar asaj një plaketë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj këtij institucioni.
Sipas njoftimit të përfaqësisë amerikane, gjatë takimit të së enjtes u diskutua vazhdimi i bashkëpunimit të suksesshëm kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, përfshirë terrorizmin, kontrabandën e drogës dhe të migrantëve, krimet kibernetike, si dhe organizatat kriminale transnacionale.
Prokuroria Speciale, nga ana e saj, ka falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet e suksesshme kundër organizatave kriminale transnacionale dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar.
Burimi: KosovaPress