Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë: Deklarata e përbashkët kundër Speciales miratohet të hënën në ora 11:00
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shpjeguar pas mbledhjes së Kryesisë arsyet pse nuk ka thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për katërshen e UÇK-së. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë kërkesë për një seancë të tillë dhe, sipas rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë ta thërrasë vetë një seancë të jashtëzakonshme.
Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës plenare të mbahet të hënën në orën 11:00, me pika të rëndësishme në rendin e ditës: betimin e deputetëve të rinj dhe miratimin e një deklarate të përbashkët që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale.
Haxhiu tha se deklarata nuk do t’u paraqitet paraprakisht deputetëve si një akt i kryer — të gjithë do të kontribuojnë në draftimin e saj, në mënyrë që ajo të shprehë një qëndrim të përbashkët të Kuvendit: “Deklaratat nuk kanë peshë juridike, por të jetë një qëndrim i Kuvendit”.
Lidhur me projektligjin e proceduar nga PDK-ja për Dhomat e Specializuara, Haxhiu tha pa paragjykim: “Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim veç me u duk që po bëjmë diçka”, duke ftuar grupet parlamentare të mos sjellin propozime vetëm sa për t’u dukur, dhe duke theksuar se pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë “secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm”.
Burimi: Klan Kosova / Klan Kosova