Prizreni proteston për çlirimtarët, Leonora Jakupi në mesin e qytetarëve: Dënimi i Hagës ishte i padrejtë

Një numër i madh qytetarësh janë grumbulluar sonte në Prizren në protestë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkrahje të çlirimtarëve.
Protesta vijon me pjesëmarrje masive dhe është pjesë e tubimeve mbarëkosovare të sotme në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, pas përfundimit të tubimeve në Pejë dhe Istog.
Një qytetar pjesëmarrës në protestë tha se tubimi është vetë dëshmia se dënimi ishte i padrejtë: “I gjithë ky tubim këtu është vet dëshmia që dënimi ka qenë i padrejtë… Ju luftuat për lirinë e këtij vendi dhe nuk ka gjyq që mund ta gjykojë sakrificën tuaj.”
Artistja e njohur Leonora Jakupi iu është bashkuar qytetarëve në protestën e Prizrenit; ajo kishte marrë pjesë edhe në protestat e tjera të organizuara në Prishtinë në përkrahje të çlirimtarëve.
Në mesin e protestuesve në Prizren është edhe kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ndërsa protesta vijon. Prizreni i bashkohet kështu protestave mbarëkosovare të sotme në përkrahje të çlirimtarëve.
Burimi: Klan Kosova