Organizatori i protestës, Çlirim Haziri i drejtohet qeverisë: ‘Çka po prisni?’
Protesta në Prishtinë në kundërshtim të vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në ditën e dhjetë.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, iu drejtua sonte protestuesve në sheshin “Skënderbeu”, teksa kritikoi institucionet për mungesë veprimesh konkrete.
Ai u zotua se protesta do të vazhdojë pavarësisht kushteve atmosferike, me reshje shiu apo bore, derisa zëri i protestuesve të dëgjohet.
“Çdo ditë që kalon pa veprim institucional do ta bëj pyetjen tonë edhe më të fortë, çka po prisni? Çfarë po bëni? Ne do të vazhdojmë këtu në këtë shesh në borë e në shi të kërkojmë përgjigjje nga institucionet në çdo rrugë demokratike që na takon si qytetarë të këtij vendi”, tha Haziri para të pranishmëve.
Fjalimi i tij u shoqërua me thirrje të përsëritura ndaj qeverisë për të reaguar institucionalisht dhe për t’i dhënë përgjigje qytetarëve që po protestojnë.
Burimi: Klan Kosova