Saturday, 26 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Protesta në disa komuna të Kosovës, sonte Prishtina për natën e 11-të kundër aktgjykimit të Hagës

Protesta në disa komuna të Kosovës, sonte Prishtina për natën e 11-të kundër aktgjykimit të Hagës

As shiu i dendur nuk i ndali qytetarët që dje dolën në rrugë në disa komuna të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protesta u organizuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në qytetet ku ajo ka degë dhe struktura.

Në mesin e protestuesve u panë veteranë lufte, familjarë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Protestat u mbajtën nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në disa qytete pjesëmarrësit u përballën edhe me reshje shiu.

Në Prishtinë, tubimi vijoi edhe mbrëmë, duke shënuar natën e dhjetë radhazi të protestës. Ai nisi në orën 21:00 dhe në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe figura të jetës politike e publike.

Protesta në kryeqytet pritet të vazhdojë edhe sonte: nga ora 21:00, qytetarët pritet të mblidhen sërish në Prishtinë, për natën e 11-të radhazi, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment