Përplasen treni dhe një automjet në Pejë, një person dërgohet në spital
Një tren udhëtarësh dhe një automjet janë përplasur sot në fshatin Lutogllavë të Pejës, siç njofton Klan Kosova.
Lajmin e ka konfirmuar për Klan Kosovën zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar në menaxhimin e trafikut.
Njësiti për Hetimin e Aksidenteve të Trafikut po vazhdon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat në të cilat ndodhi përplasja.