Gara: Familjet e të zhdukurve meritojnë të vërtetën dhe drejtësinë
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka mirëpritur dhe mbështetur veprimet e Policisë së Kosovës, respektivisht të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përfshirë aksionin e sotëm në Zubin Potok, të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale në kuadër të “Dosjes 23”, ku nëntë persona u arrestuan nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, aksion i lidhur me rastin “Grupi i intelektualëve”.
Në prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, Gara ka deklaruar: “Mirëpresim dhe mbështesim çdo veprim të Policisë së Kosovës, të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në shërbim të zbardhjes së krimeve dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës dhe familjet e tyre”.
Sipas tij, familjet e të zhdukurve kanë pritur gjatë dhe meritojnë të vërtetën e plotë dhe drejtësinë. “Siç e kanë thënë edhe vetë familjarët, drejtësia nuk e zhbën dhimbjen, por sjell ngushëllim për familjet”, ka theksuar Gara.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur vazhdon të punojë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë dhe për t’i dhënë përgjigje familjarëve që ende kërkojnë drejtësi.