“Zero tolerancë ndaj çdo rreziku për fëmijët”- Ministri Demo: Siguria në shkolla nuk negociohet! Do ketë mbrojtje 360
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo ka deklaruar se siguria në shkolla nuk negociohet dhe se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo rreziku për fëmijët.
Duke folur në takimin për Paketën e Sigurisë në Shkolla të zhvilluar në bashkinë Kamëz, Demo evidentoi angazhimin e institucioneve për garantimin e një mbrojtjeje të plotë për fëmijët në të gjithë vendin, ndërsa shtoi se do të ketë “mbrojtje dhe siguri të plotë 360 gradë për fëmijët”.
“Ne jemi sot katër ministra në takim, që të ofrojmë një mbrojtje dhe siguri të plotë 360 gradë për fëmijët në vendin tonë”, deklaroi Demo, në bashkëbisedimin me nxënës, mësues e prindër, ku ishin të pranishëm ministrja e Arsimit, Kumbaro, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Spahiu, ministri i Bujqësisë, Salla dhe kryetari i bashkisë, Suli.
Ai nënvizoi se siguria nis brenda ambienteve të shkollës dhe vijon me garantimin e sigurisë në perimetër, cilësinë e ushqimit në institucionet ku ofrohet ky shërbim dhe mirëqenien fizike të nxënësve.
Demo theksoi se Paketën e Sigurisë në Shkolla e zbaton tashmë çdo shkollë në të gjithë territorin, ndërsa Policia e Shtetit po e shoqëron atë me veprime konkrete, veçanërisht në garantimin e sigurisë në perimetrin e institucioneve arsimore.
“Ka zero tolerancë për sa i përket akteve apo veprimeve që mund të vënë në rrezik mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha Demo, duke theksuar se objektivi është krijimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt, ku nxënësit të mund të përqendrohen te mësimi dhe të japin maksimumin e tyre.
Sipas ministrit Demo, Paketa e Sigurisë në Shkolla nuk është vetëm një mekanizëm reagimi, por një sistem i bashkërenduar parandalimi, ku komunikimi mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve, policisë dhe prindërve është thelbësor për identifikimin dhe parandalimin në kohë të çdo fenomeni negativ.
“Ka zero tolerancë dhe është vija më e kuqe e mundshme që Policia e Shtetit tashmë ka vendosur për sa i përket garantimit të të gjithë atyre elementëve që duhet ta bëjnë një prind, një familje të qetë dhe mbi të gjitha të sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre ku shkojnë në ambientet e shkollës”, u shpreh ministri.
Demo vlerësoi edhe bashkëpunimin mes institucioneve qendrore dhe vendore, duke theksuar se zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla kërkon angazhim të përditshëm dhe përmirësim të vazhdueshëm përmes komunikimit me të gjithë aktorët e përfshirë.