Salih Mustafa mesazh nga Haga protestuesve: Jeni shndërruar në luftëtarë të drejtësisë
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka lexuar para protestuesve një mesazh të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Para se ta lexonte mesazhin, Haziri iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Një përshëndetje nga Cali jonë”.
Në mesazhin e tij, Mustafa ka falënderuar qytetarët që po marrin pjesë në protestë, duke i cilësuar ata si mbrojtës të historisë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lirisë dhe demokracisë.
“Ne dje ishim luftëtarë të UÇK-së për liri, bashkim e demokraci. E ju sot jeni engjëjt mbrojtës të historisë, të UÇK-së, të lirisë dhe të demokracisë. Dhe jeni shndërruar në luftëtarë të drejtësisë”, thuhet në mesazhin e Salih Mustafës.
Po ashtu, Haziri i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që ta procedojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.