Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Marta Kos për DW: Zgjerimi i BE-së merr dinamikë të re, Shqipëria ndër vendet që udhëheqin procesin

Marta Kos për DW: Zgjerimi i BE-së merr dinamikë të re, Shqipëria ndër vendet që udhëheqin procesin

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po përjeton një nga periudhat më dinamike të dekadës së fundit, sipas deklaratave të bëra nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për median Deutsche Welle (DW). Sipas saj, ritmi aktual i negociatave nuk është parë që prej anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, ndërsa vjeshta e këtij viti pritet të jetë përcaktuese për ecjen përpara të vendeve kandidate.

Në këtë kontekst, Komisionerja Kos veçoi Shqipërinë si një nga shtetet kyçe që po udhëheqin procesin e integrimit evropian, përkrah vendeve të tjera si Ukraina dhe Moldavia.

“Shqipëria po përparon shumë mirë, ndërsa për Moldavinë dhe Ukrainën shpresojmë të hapim të gjitha grupkapitujt brenda këtij viti. Këto janë vendet që po udhëheqin procesin dhe mendoj se nuk kemi parë një dinamikë të tillë që nga koha kur Kroacia iu bashkua Bashkimit Evropian,” u shpreh Marta Kos.

Përparimi i qëndrueshëm i Shqipërisë e pozicionon vendin në pararojë të reformave institucionale në Rajon, duke rikonfirmuar vullnetin politik për të përmbushur kriteret e kërkuara nga Brukseli.

Integrimi gradual, më shumë prani të BE-së përpara anëtarësimit të plotë

Pjesë e diskutimeve kryesore në kuadër të Procesit të Berlinit është dokumenti më i fundit i Komisionit Evropian, i cili prezanton konceptin e “integrimit të përshpejtuar gradual”. Kjo qasje synon t’u ofrojë vendeve kandidate përfitime praktike dhe qasje në fusha të caktuara të BE-së përpara se të përmbyllin plotësisht negociatat.

Duke shpjeguar rëndësinë gjeopolitike të këtij hapi, Kos theksoi se metodologjia e bazuar në meritë kërkon kohë, por rrethanat e tanishme kërkojnë hapa më të shpejtë për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane.

“Kjo nuk është zëvendësim për anëtarësimin. Është thjesht një mënyrë që, për shkak se procesi i bazuar në meritë kërkon kohë, një vend kandidat që plotëson kriteret për integrim në fusha të caktuara të mund të përfitojë nga një integrim i pjesshëm edhe para se të bëhet anëtar i plotë,” sqaroi Komisionerja.

Ndër përfitimet konkrete që pritet të prekin drejtpërdrejt qytetarët e Shqipërisë dhe të Rajonit përmenden heqja e tarifave të roaming-ut me vendet e BE-së, si dhe përfshirja në hapësirën e Zones Evropiane të Pagave të Përbashkëta (SEPA). Përmes të ashtuquajturit “rishikim para-anëtarësimi”, KE synon të identifikojë fusha të tjera ku vendet kandidate mund të integrohen më herët.

Ecuria e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor

Ndërsa Shqipëria po shënon ritme të larta progresivizmi, situata në vendet e tjera të rajonit paraqitet me specifika të ndryshme. Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave. Për shkak të përparimit të tij, parimi i integrimit gradual do të ketë më pak rëndësi, pasi vendi synon anëtarësimin e plotë. Sipas Komisioneres, nëse procesi vijon sipas planit, Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Serbia pritet të dëshmojë përkushtim ndaj vlerave evropiane, shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjyqësorit. Zgjedhjet e ardhshme shihen si një katalizator për drejtimin që do të marrë vendi, i cili duhet të dëshmojë rezultate konkrete.

Bosnjë-Hercegovina, hapat e radhës varen nga miratimi i dy ligjeve kyçe dhe emërimi i kryenegociatorit për të nisur procesin e evaluimit pas zgjedhjeve.

Komisionerja Kos nënvizoi se nëntë muajt e parë të këtij viti kanë shënuar numrin më të madh të kapitujve të hapur dhe të mbyllur në 25 vitet e fundit.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment