Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Tregjet amerikane hapin tetorin në rënie: rendimenti i bonove 10-vjeçare prek rekordin 24-vjeçar prej 5.35%, nafta Brent kalon 100 dollarët

Tregjet amerikane hapin tetorin në rënie: rendimenti i bonove 10-vjeçare prek rekordin 24-vjeçar prej 5.35%, nafta Brent kalon 100 dollarët

Tregjet amerikane e hapën tetorin në rënie të enjten, me indeksët kryesorë të Wall Street-it në territor negativ, ndërsa rendimenti i bonove 10-vjeçare të Thesarit preku nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit dhe nafta u rrit ndjeshëm, siç njofton Investopedia.

Dow Jones ra me 0.4 për qind, S&P 500 me 0.1 për qind, ndërsa Nasdaq Composite mbeti pothuajse i pandryshuar në seancën e parë të tremujorit të katërt. Presioni mbi aksionet u thellua pasi rendimenti i bonove 10-vjeçare të Thesarit preku herët të enjten rreth 5.35 për qind — niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2002.

Nafta, ndërkohë, shënoi rritje të fortë: çmimi i WTI u ngjit me 1.4 për qind në 91.70 dollarë për fuçi, ndërsa Brent u rrit me rreth 3 për qind, duke kaluar nivelin e 101 dollarëve, pasi Reuters raportoi se rafineritë kineze kanë pezulluar eksportet e karburanteve për muajin tetor, për t’i dhënë përparësi furnizimit të tregut vendas. Sipas Barron’s, çmimet e arit të zi morën shtysë edhe nga mungesa e përparimit në bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Një ditë më parë, në seancën e fundit të tremujorit të tretë, Nasdaq u rrit pasi të dhënat për inflacionin PCE të gushtit dolën më të buta se pritjet, ndërsa Dow dhe S&P 500 u tërhoqën. Për muajin shtator, Dow dhe S&P 500 e mbyllën në rënie, kurse Nasdaq përfundoi në territor pozitiv.

Ndër lëvizjet më të spikatura pas publikimit të rezultateve financiare, aksionet e Accenture u rritën me 22 për qind, ndërsa ato të McCormick dhe Micron ranë me nga 2 për qind — Micron pavarësisht se raportoi rezultate më të mira se pritjet. Nike u ngjit me 1 për qind përpara raportimit të rezultateve pas mbylljes së tregut.

Lini një koment