Videot intime, zbardhet dëshmia e Hilës në Polici: Kamerat i vura për të siguruar banesën, nuk kam shkarkuar asgjë
Është zbardhur dëshmia e kompozitorit Adrian Hila në Policinë e Tiranës, lidhur me publikimin e disa videove intime, në të cilat ai shfaqet në shoqërinë e disa personazheve publike.
Gjatë dëshmisë së tij, Hila ka shpjeguar se në banesën e tij kishte instaluar kamera sigurie, si brenda ashtu edhe jashtë saj, që prej vitit 2023.
“I kam vendosur kamerat rreth vitit 2023, pasi një komshiu tim i kanë hyrë brenda në shtëpi dhe e kanë grabitur dhe nuk kanë mundur të identifikohen hajdutët”, ka deklaruar Hila, sipas dëshmisë së bërë publike.
Kompozitori ka theksuar se instalimi i kamerave është bërë për arsye sigurie dhe se bëhet fjalë për pajisje të zakonshme, të cilat regjistrojnë pamjet dhe më pas i fshijnë ato.
“Për këtë arsye i vendosa dhe unë kamerat brenda dhe jashtë banesës, për arsye sigurie. Janë kamera të thjeshta, të cilat regjistrojnë dhe fshihen. Nuk kam pasur dijeni për pamjet e publikuara”, mësohet të ketë deklaruar Hila.
Në dëshminë e tij, kompozitori ka mohuar gjithashtu se ka shkarkuar materialet që janë publikuar në rrjetet sociale.
“Nuk kam shkarkuar asgjë”, është shprehur Hila para efektivëve.