Aleati i Trump, Paolo Zampolli, largohet nga posti i të dërguarit special pas përplasjes në Departamentin e Shtetit
I dërguari special amerikan për partneritetet globale, Paolo Zampolli, nuk është më pjesë e administratës. Një zyrtar amerikan tha të enjten se Zampolli ishte njoftuar se statusi i tij si i dërguar kishte përfunduar dhe se ai nuk ishte më punonjës qeveritar, siç njofton CNN. Largimin e konfirmuan edhe dy zyrtarë të tjerë.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi Politico raportoi për një mosmarrëveshje që zgjaste prej muajsh mes Zampolli-t dhe zëvendëssekretarit të Shtetit, Christopher Landau. Përplasja, e zhvilluar përmes emaileve për një sërë temash, kishte në qendër sidomos zinxhirin e komandës, ndërsa në mesazhe nuk kishin munguar as sulmet personale.
Zampolli bëhet kështu diplomati i dytë me lidhje personale me presidentin Donald Trump që largohet brenda pak ditësh. Para tij, Kimberly Guilfoyle u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi.
Biznesmen dhe ish-agjent modelesh, Zampolli ka përfaqësuar Melania Trump dhe thotë se ishte ai që e njohu atë me Donald Trump, në një festë në vitin 1998. Trump e shpalli të dërguar special për partneritetet globale në mars të vitit 2025. Më herët, gjatë mandatit të parë të Trump, ai kishte qenë anëtar i bordit të Qendrës Kennedy dhe ambasador në OKB për Dominikan.
Në deklaratën e tij të enjten, Zampolli tha se posti ishte parashikuar të zgjaste një vit dhe se Trump ia kishte zgjatur edhe për gjashtë muaj të tjerë. Ai u shpreh mirënjohës ndaj presidentit Trump, zëvendëspresidentit JD Vance dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio, dhe bëri të ditur se tani do të kthehet te biznesi i tij.