Thursday, 15 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›BBC i kërkon gjykatës ta detyrojë Trump-in të dëshmojë në padinë e tij kundër transmetuesit

BBC i kërkon gjykatës ta detyrojë Trump-in të dëshmojë në padinë e tij kundër transmetuesit

Avokatët e BBC-së i janë drejtuar një gjykate në Florida me kërkesën që presidenti Donald Trump të detyrohet të japë dëshmi në çështjen për shpifje që ai vetë ka hapur kundër transmetuesit britanik, siç njofton Associated Press. Sipas përfaqësuesve ligjorë të BBC-së, kreu i Shtëpisë së Bardhë po përpiqet ta shtyjë këtë përballje deri në janar të vitit 2027, ndonëse padia prej 10 miliardë dollarësh është ngritur me iniciativën e tij.

Në dokumentet e dorëzuara këtë javë në gjykatë thuhet se palët kishin rënë dakord që dëshmia të mbahej më 16 tetor. Megjithatë, më 28 shtator, avokatët e presidentit njoftuan se ai nuk mund të paraqitej më në atë datë, duke përmendur çështje me rëndësi kombëtare, dhe nuk propozuan asnjë alternativë. Më vonë, sipas BBC-së, u bë e qartë se Trump nuk ka asnjë disponueshmëri përpara 18 dhjetorit, kur mbyllet faza e zbulimit të provave.

Përplasja ligjore nisi dhjetorin e kaluar, kur Trump paditi BBC-në për shpifje dhe praktika mashtruese tregtare. Në qendër të padisë qëndron dokumentari “Trump: A Second Chance”, në të cilin fjalimi i tij i 6 janarit 2021 ishte montuar duke bashkuar citate nga pjesë të ndryshme, çka krijonte përshtypjen se ai kishte nxitur drejtpërdrejt dhunën përpara sulmit ndaj Kapitolit.

Transmetuesi i ka kërkuar falje presidentit për mënyrën e montimit, ndërsa çështja u pasua nga dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm dhe të drejtoreshës së lajmeve. Megjithatë, BBC-ja i hedh poshtë pretendimet për shpifje. Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Trump-it, në reagimin e tij, nuk dha shpjegime për vonesën e dëshmisë, por ripërsëriti akuzat ndaj transmetuesit britanik.

Nuk është hera e parë që Trump shmang një dëshmi të tillë. Në vitin 2023, ai tërhoqi një padi prej 500 milionë dollarësh kundër ish-avokatit të tij personal, Michael Cohen, vetëm pak ditë përpara se të duhej të dëshmonte në atë proces.

Lini një koment