Dukagjini dhe Drenica ndajnë pikët në Klinë
Dukagjini dhe Drenica kanë barazuar 1:1 në ndeshjen e javës së dhjetë të Albi Mall Superligës së Kosovës, e zhvilluar të hënën mbrëma në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Ndeshja nisi mirë për skuadrën vendase, e cila kaloi në epërsi që në minutën e pestë. Elton Basri realizoi për 1:0, duke i dhënë avantazhin Dukagjinit.
Megjithatë, vendasit u përballën me një vështirësi të madhe në minutën e 15-të, kur Kushtrim Gashi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër.
Drenica shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vetëm pesë minuta më vonë arriti ta barazonte rezultatin. Agim Zeka ishte realizatori i golit për 1:1 në minutën e 20-të.
Në vazhdim, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por rrjetat nuk u tundën më dhe ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë.
Kështu, Dukagjini dhe Drenica e mbyllën përballjen e javës së dhjetë duke marrë nga një pikë.
