E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Jo vetëm ndotja e ajrit, edhe zhurmat e trafikut dëmtojnë shëndetin e zemrës

Jo vetëm ndotja e ajrit, edhe zhurmat e trafikut dëmtojnë shëndetin e zemrës

– Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave të forta të trafikut, që vijnë nga automjetet, autobusët, avionët dhe trenat, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të shkaktojë probleme serioze për shëndetin e zemrës.

Sipas një studimi të ri, zhurmat e trafikut lidhen me rritjen e faktorëve të rrezikut kardiovaskular, përfshirë kolesterolin e lartë, hipertensionin dhe diabetin.

Madje, këto pasoja negative nuk duket se neutralizohen as nga zakonet e rregullta dhe të shëndetshme të gjumit.

Studimi, i cili do të prezantohet në kongresin e Shoqatës Amerikane të Zemrës në Çikago, është realizuar nga një ekip kardiologësh të “Massachusetts General Hospital”.

Studiuesit analizuan të dhënat e 108 051 të rriturve, me moshë mesatare 57 vjeç, të regjistruar në databazën “Massachusetts General Brigham Biobank”, gjatë periudhës 2010-2020.

Ekspozimi ndaj zhurmave të transportit u vlerësua përmes matjes së nivelit mesatar të zhurmës gjatë 24 orëve në afërsi të banesave të pjesëmarrësve.

Rezultatet treguan se 33% e pjesëmarrësve ishin të ekspozuar ndaj niveleve të zhurmës mbi 50 decibel, ndërsa 54,5% ndaj niveleve mbi 45 decibel.

Për krahasim, një nivel prej 45-50 decibelësh është i ngjashëm me zhurmën e një shiu mesatar.

Sipas studimit, ekspozimi ndaj zhurmave mbi 50 decibel lidhet me një rritje prej 8-10% të rrezikut për zhvillimin e faktorëve kryesorë të sëmundjeve të zemrës, si kolesteroli i lartë, hipertensioni dhe diabeti.

Gjithashtu, ky nivel ekspozimi u shoqërua me një probabilitet më të lartë për ngjarje të rënda kardiovaskulare.

Autori kryesor i studimit, Joseph Nguyen, theksoi se lidhja ndërmjet ekspozimit ndaj zhurmave dhe zhvillimit të problemeve kardiovaskulare ishte e ngjashme, pavarësisht cilësisë dhe rregullsisë së gjumit.

Sipas tij, rezultatet sugjerojnë se gjumi i rregullt nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme ndaj efekteve negative që zhurmat e vazhdueshme mund të kenë në shëndetin e zemrës.

Studiuesit nënvizojnë rëndësinë e vëmendjes ndaj ndotjes akustike si një faktor mjedisor që mund të ndikojë në shëndetin kardiovaskular.

Lini një koment