GJERMANI – Punonjësit e industrisë protestojnë për rritjen e pagave me 5%
BERLIN, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Punonjës të industrisë së metalit dhe elektroteknikës në Gjermani kanë zhvilluar protesta paralajmëruese, në kuadër të konfliktit për rritjen e pagave me punëdhënësit.
Sindikatа “IG Metall” kërkon rritje me 5% të pagave për një periudhë 12-mujore, si dhe masa për garantimin e vendeve të punës dhe mbrojtjen e fabrikave nga mbyllja.
Konflikti përfshin rreth 3,7 milionë punonjës në sektorin e metalit dhe elektroteknikës.
Protestat nisën më 1 nëntor, pas përfundimit të periudhës gjatë së cilës sindikata nuk mund të organizonte greva paralajmëruese.
Sipas “IG Metall”, në katër ditët e para të protestave morën pjesë rreth 191 mijë punonjës nga afro 1,000 kompani.
Sindikata ka paralajmëruar zgjerimin e aksioneve në më shumë se 2,000 ndërmarrje.
Përveç rritjes së pagave, “IG Metall kërkon” që punonjësit e kompanive me rezultate të mira financiare të përfitojnë nga ndarja e fitimeve, ndërsa punonjësit me paga të ulëta dhe praktikantët të marrin mbështetje shtesë.
Nga ana tjetër, punëdhënësit kanë propozuar një pagesë të njëhershme në korrik 2027, në masën 1% të pagës vjetore bruto, si dhe një rritje të përhershme të pagave me 1,3% nga korriku 2028.
Propozimi parashikon një periudhë 26-mujore dhe është kundërshtuar nga sindikata, e cila e konsideron atë të pamjaftueshëm për të kompensuar rritjen e çmimeve.
Negociatat për kontratën e re kolektive pritet të vijojnë këtë javë, ndërsa sindikata ka paralajmëruar vazhdimin e protestave në rast se nuk ka përparim në bisedimet me punëdhënësit. /