KINEMA – Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale
– Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është shpallur fajtor për përdhunim dhe tri akuza për sulme seksuale nga një juri në Gjykatën e Southwark në Londër, sipas “The Guardian”.
Vendimi u dha sot pas shqyrtimit të një çështjeje që kishte tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe mediatike në Britaninë e Madhe.
Brand, 51 vjeç, u përball me shtatë akuza për vepra seksuale ndaj gjashtë grave, të cilat lidhen me ngjarje të ndodhura gjatë periudhës 1999–2009.
Ai u shpall fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulme seksuale, ndërsa u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm seksual.
Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria argumentoi se komediani kishte shfrytëzuar famën dhe ndikimin e tij për të përfituar nga gratë.
Prokurorët e përshkruan sjelljen e tij si manipuluese dhe theksuan se viktimat kishin përjetuar situata të rënda, pavarësisht se disa prej ngjarjeve kishin ndodhur shumë vite më parë.
Nga ana tjetër, Brand i mohoi akuzat, duke këmbëngulur se marrëdhëniet seksuale kishin qenë konsensuale.
Gjatë dëshmisë në gjykatë, ai pranoi se në të kaluarën kishte pasur një sjellje të shthurur seksuale dhe se kishte përdorur famën për të krijuar mundësi për marrëdhënie me gra, por mohoi se kishte detyruar ndonjëherë dikë të kryente marrëdhënie kundër vullnetit të saj.
Pas shpalljes së vendimit, gjykatësi deklaroi se Brand përballet me një dënim “të konsiderueshëm” me burg.
Ai u la në paraburgim deri në seancën e caktimit të dënimit, e planifikuar për të hënën.
Ndërkohë, policia britanike ka bërë të ditur se po heton edhe pretendime të tjera ndaj tij, të ngritura nga dy gra të tjera./ /Ad.Ab./ a.jor.