E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Trump: Marrëveshja për Ukrainën do të përfshijë edhe Evropën

SHBA – Trump: Marrëveshja për Ukrainën do të përfshijë edhe Evropën

UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se mund të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas takimit dje në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë me Kirill Dmitriev, të dërguarin special të presidentit rus Vladimir Putin.

Trump nuk dha hollësi për bisedën me përfaqësuesin rus, por la të kuptohej se palët mund të arrijnë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe nuk do të përfshijë vetëm Ukrainën”, deklaroi Trump.

“Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e shkëlqyer dhe të gjithë do të jenë të kënaqur”, shtoi ai.

Trump tha se nuk u takua me përfaqësuesit e Ukrainës, të cilët kishin udhëtuar gjithashtu drejt Uashingtonit.

Dhëndri i Trump, Jared Kushner, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin zhvilluar në Bruksel bisedime, që i cilësoi si “të frytshme dhe me përmbajtje konkrete” me përfaqësuesit e Ukrainës, NATO-s dhe vendeve evropiane.

Sipas tij, diskutimet u përqendruan në dy çështje të rëndësishme, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe një plan më të gjerë për sigurinë e Evropës.

“Po punojmë intensivisht me të gjitha palët për të gjetur zgjidhje konkrete, që mund t’i japin fund kësaj lufte dhe të krijojnë bazat për një paqe afatgjatë”, shkroi Kushner në rrjetin social X.

“Synimi ynë është të trajtojmë shqetësimet e të gjitha palëve për sigurinë, përmes marrëveshjeve konkrete, të pranuara nga të gjithë, që do të ulin rrezikun e konflikteve të ardhshme”, shtoi ai.

Më herët, Kirill Dmitriev falënderoi Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, për rolin e saj në arritjen e një armëpushimi të përkohshëm në qytetin ukrainas Oleshky, i cili ndodhet nën pushtimin rus.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë, Dmitriev përcolli mirënjohjen e presidentit rus, Vladimir Putin për rolin e saj të veçantë humanitar, në arritjen e armëpushimit në këtë qytet pranë vijës së frontit.

Armëpushimi zgjati nga e marta deri të dielën në mbrëmje të javës së kaluar. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina e falënderuan disa herë Melania Trump për përpjekjet e saj, për të ndihmuar në largimin e njerëzve që kishin mbetur të bllokuar në Oleshky, ku ushqimet dhe furnizimet mjekësore ishin bërë të pakta.

Ndërkohë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rolin e ndërmjetësit, Ukraina dhe Rusia pritet të zhvillojnë bisedime në Abu Dabi javën e ardhshme, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës së gjerë, e cila nisi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Lini një koment