FOKUS – Alarm për bombë në disa fluturime në Evropë, avionët devijohen dhe nisin kontrollet e sigurisë
ROMË, 6 nëntor /ATSH-AFP/ – Një seri kërcënimesh për bomba ka shkaktuar shqetësim dhe ndërprerje në trafikun ajror në disa vende të Evropës, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë masat e sigurisë, të kontrollojnë avionët dhe në disa raste të ndryshojnë itinerarin e fluturimeve.
Më shumë se 15 fluturime u prekën dje nga kërcënimet, ndërsa disa avionë u shoqëruan nga avionë luftarakë deri në ulje.
Kontrollet e kryera deri tani nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese apo objekte të dyshimta.
Në Itali, dy avionë të kompanisë “Ryanair”, njëri nga Lisbona dhe tjetri nga Dublini, u kontrolluan në aeroportin “Fiumicino” të Romës pas marrjes së njoftimeve për kërcënime të mundshme me bombë.
Avioni nga Lisbona u ul në Romë rreth orës 09:40, ndërsa fluturimi nga Dublini mbërriti rreth orës 10:30, i shoqëruar nga avionë të Forcave Ajrore italiane.
Pasagjerët, ekuipazhi, bagazhet dhe avionët iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme. Autoritetet konfirmuan se nuk u gjet asgjë e dyshimtë dhe alarmi u hoq.
Një tjetër incident përfshiu një avion të kompanisë irlandeze “Aer Lingus”, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës. Pas marrjes së një kërcënimi, avioni u devijua drejt bazës ajrore ushtarake “Évreux”, në Francë.
Në bord ndodheshin 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të cilët u dërguan në një zonë të sigurt pas uljes.
Ekipet e specializuara nisën kontrollin e avionit për praninë e mundshme të lëndëve shpërthyese.
Në Bullgari, tre fluturime të kompanisë “Ryanair”, me destinacion Sofjen dhe nisje nga Kopenhaga, Madridi dhe Londra, u prekën nga kërcënimet.
Dy avionët e parë, u ulën në aeroportin e Sofjes, ndërsa fluturimi nga Londra u devijua drejt Plovdivit. Avionët u shoqëruan nga mjete ushtarake dhe iu nënshtruan kontrolleve të sigurisë.
Edhe në Republikën Çeke, policia kontrolloi katër avionë që mbërritën në Pragë pas marrjes së kërcënimeve. Në asnjërin prej tyre nuk u gjetën objekte të dyshimta.
Ndërkohë, një avion i kompanisë “Wizz Air”, që fluturonte nga Milano drejt Bukureshtit, u ul në kryeqytetin rumun pas një kërcënimi. Pasagjerët u evakuuan dhe specialistët kryen kontrollet përkatëse.
Autoritetet po hetojnë origjinën e kërcënimeve, të cilat në disa raste janë dërguar përmes postës elektronike.
Deri tani, nuk ka prova që të tregojnë se incidentet janë të lidhura me një organizatë apo shtet të caktuar.
Zyrtarë britanikë i kanë cilësuar këto raste si kërcënime keqdashëse dhe alarme të rreme, ndërsa autoritetet evropiane kanë vijuar zbatimin e procedurave të sigurisë për çdo avion të prekur.
Incidentet kanë shkaktuar vonesa dhe ndryshime në itineraret e fluturimeve, por deri tani nuk është raportuar për të plagosur. /