Çmimet e inputeve bujqësore në Kosovë rriten për 8 për qind, goditen më shumë shpenzimet ditore të fermerëve
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, siç njofton RTK, çmimet e inputeve bujqësore në Kosovë janë rritur për 8 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Indeksi i inputeve 1, që përfshin farat, materialin mbjellës, energjinë, karburantet, plehrat kimike, pesticidet, shpenzimet veterinare dhe ushqimin për kafshë, është rritur për 12 për qind në bazë vjetore. Ndërkaq, indeksi i inputeve 2, që përfshin makinerinë, pajisjet, objektet bujqësore dhe punimet investive, është rritur për 3,8 për qind.
Këto të dhëna tregojnë se presioni i rritjes së çmimeve është më i madh mbi shpenzimet e përditshme të fermerëve sesa mbi investimet afatgjata në sektor, duke e rënduar drejtpërdrejt koston e prodhimit bujqësor në vend.
Për përpilimin e këtij publikimi, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka mbledhur të dhëna në barnatore bujqësore, barnatore veterinare, kompani, tregje dhe pika të tjera ku tregtohen mallra e shërbime bujqësore. Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi pasqyron ndryshimet në kostot me të cilat përballen fermerët në veprimtaritë e tyre prodhuese dhe investive.