Tensione për Reformën Zgjedhore / PD kundërshton rendin e ditës, Bylykbashi i vendos kusht PS-së: Hiqni hartën territorial
Pak orë para se Komisioni i Reformës Zgjedhore të mblidhet në seancë plenare, bashkëkryetari Oerd Bylykbashi u ka kërkuar anëtarëve të mazhorancës të ndryshojnë rendin e ditës.
Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka zbardhur kërkesën e demokratëve, ku kërkohet heqja e pikës së rendit të ditës që lidhet me reflektimin e hartës së re territoriale në Kodin Zgjedhor.
Kërkesa e plotë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, e zbardhur nga Top Channel:
“I nderuar bashkëkryetar, të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm, Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-opozitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.
Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme, në lidhje me detyrime që, sipas njoftimit, i vijnë Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.
Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër, kërkoj që deri në orën 11:00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht Komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.”