Norvegjia pezullon përkohësisht kapacitetet e reja të rrjetit për qendrat e të dhënave
Operatori norvegjez i rrjetit elektrik Statnett njoftoi të hënën se po pezullon përkohësisht rezervimet e reja të kapacitetit të rrjetit për qendrat e të dhënave, për të garantuar funksionimin e rregullt të sistemit elektrik, siç raporton Reuters.
Pezullimi mbulon rezervimet e reja të lidhjeve, përpunimin e aplikimeve të reja për miratimin e funksionalitetit të impianteve, si dhe aplikimet në pritje për lidhje direkte me rrjetin 420 kV.
Drejtuesi i operacioneve të sistemit dhe tregjeve në Statnett, Peer Olav Oestli, tha se ndalesa e përkohshme është e nevojshme për të vënë në vend masa dhe një kornizë që sigurojnë që lidhja e qendrave të reja të ndodhë me pasoja të menaxhueshme për sistemin elektrik dhe funksionimin e tij.
Qendrat e të dhënave mbështesin shërbimet dixhitale dhe po nxisin rritjen e informatikës dhe të inteligjencës artificiale, por konsumi i tyre i madh i energjisë rrezikon ta rëndojë furnizimin me energji dhe të rrisë çmimet e energjisë elektrike. Rregullatori norvegjez i energjisë paralajmëroi muajin e kaluar për një rrezik në rritje të deficitit të energjisë.
Statnett shtoi se qendrat e të dhënave mund të kenë ndryshime të mëdha e të shpejta në konsumin e energjisë dhe janë më të cenueshme ndaj çrregullimeve sesa konsumatorët tradicionalë të mëdhenj.
Vendimi nuk është një ndalesë e përgjithshme: impiantet të cilave u janë miratuar kërkesat funksionale të nevojshme do të mund të lidhen me rrjetin, ndërsa masa nuk prek lidhjet ekzistuese.