E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Teknologji›Shqiptarja Mira Murati po ndërton një gjigant të AI, kompania e saj mund të vlejë 40 miliardë dollarë

Shqiptarja Mira Murati po ndërton një gjigant të AI, kompania e saj mund të vlejë 40 miliardë dollarë

Thinking Machines Lab, startup-i i Al i themeluar nga Mira Murati, pritet të mbyllë një raund të ri financimi që këtë javë.

Sipas burimeve të njohura me çështjen, kompania po synon të mbledhë 5 miliardë dollarë me një vlerësim prej 40 miliardë dollarësh para investimit, ndërsa raundi po udhëhiqet nga fondi Accel.

Thinking Machines Lab ishte vlerësuar më parë me mbi 10 miliardë dollarë dhe vitin e kaluar kishte siguruar rreth 2 miliardë dollarë në një raund fillestar financimi, madje para se të lansonte produktin e parë, shkruan Business Insider.

Nëse marrëveshja realizohet, vlerësimi i kompanisë do të rritet më shumë se trefish krahasuar me raundin e fundit publik, duke treguar se investitorët vazhdojnë të bëjnë baste të mëdha mbi laboratorët e Al.

Thinking Machines Lab u bë një nga startup-et më të profilizuara të sektorit për shkak të lidhjeve të forta të ekipit drejtues me OpenAI.

Shqiptarja Mira Murati ka qenë më parë drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI, ndërsa disa nga figurat kryesore të kompanisë kanë punuar në zhvillimin e versioneve të hershme të ChatGPT.

Produkti i parë i kompanisë, Tinker, është një sistem që ua lehtëson përdoruesve përshtatjen dhe trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore.

Së fundmi, kompania ka prezantuar një version të ri të tij, me përmirësime në programim me Al.

Megjithatë, Thinking Machines Lab po përballet edhe me konkurrencë të fortë për talentet.

Disa prej anëtarëve themelues janë larguar drejt kompanive rivale, përfshirë Meta dhe OpenAI.

Pavarësisht kësaj, raundi i ri i financimit do ta vendoste startup-in e Mira Muratit mes kompanive private më të vlefshme në industrinë globale të Al. /Telegrafi/

Lini një koment