FOKUS – Shkencëtarët gjejnë mënyrën për transmetimin e aromave online
ASTANA, 9 nëntor /ATSH-KAZINFORM/ – Studiuesit kanë zhvilluar një sistem që mund të zbulojë një aromë, të transmetojë informacionin për të përmes internetit dhe më pas të çlirojë një aromë përkatëse nëpërmjet një pajisjeje që mbahet në trup, i referohet agjencia e lartpërmendur një studimi të botuar në revistën “Science Advances”.
I quajtur “Scentronic”, sistemi kombinon inteligjencën artificiale (IA) me sensorë gazi dhe një pajisje të vogël që çliron sasi të kontrolluara të lëngjeve aromatike.
Sistemi përdor gjashtë sensorë për të zbuluar dhe klasifikuar aromat. Algoritmet e inteligjencës artificiale më pas identifikojnë burimin e aromës nga pesë kategori të testuara: birra, keku, kafeja, portokalli dhe vera e kuqe.
Rezultatet transmetohen përmes internetit drejt një pajisjeje, e cila çliron aromën përkatëse.
Studiuesit zhvilluan disa modele të pajisjes, përfshirë byzylykë, varëse për qafën dhe pajisje që mbahen në dorë.
Ata ndërtuan gjithashtu një filxhan që kombinon stimulimin e nuhatjes me atë të shijes. Në një demonstrim, përzgjedhja e birrës virtuale ose kafesë në një mjedis të realitetit të përzier aktivizonte filxhanin për të çliruar aromën përkatëse dhe sinjale që simulonin shijen.
Testet e kryera me 14 pjesëmarrës treguan një saktësi prej 72,86% në identifikimin e pesë aromave.
Pjesëmarrësit arritën të dallonin kombinimet e dy aromave me një saktësi prej 71,43%. Ndërsa saktësia e tyre në renditjen e pesë niveleve të intensitetit të aromës së alkoolit ishte 58,57%.
Kjo teknologji mund të mbështesë në të ardhmen testet e nuhatjes në distancë, duke u mundësuar mjekëve të vlerësojnë aftësinë e pacientëve për të dalluar aromat dhe të monitorojnë ndryshimet në shqisën e nuhatjes.
Ajo mund të ndihmojë gjithashtu që realiteti virtual, blerjet online dhe komunikimi dixhital të bëhen më gjithëpërfshirës dhe më realistë.
Megjithatë, “Scentronic” ende nuk është në gjendje të riprodhojë aromat me saktësi të plotë.
Sistemi identifikon kategorinë e një arome dhe e rikrijon atë duke përdorur alternativa aromatike të përgatitura paraprakisht, në vend që të kopjojë përbërjen e saktë kimike të aromës origjinale.
Studiuesit thonë se sistemi ka nevojë për më shumë sensorë dhe kanale aromatike, në mënyrë që të njohë dhe të riprodhojë një gamë më të gjerë aromash./ /Ad.Ab./ a.jor.