E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Debate te “Zgjedhorja”, Gjiknuri: Po bllokohet puna e Komisionit, Bylykbashi: PS shmang rekomandimet e ODIHR

Debate te “Zgjedhorja”, Gjiknuri: Po bllokohet puna e Komisionit, Bylykbashi: PS shmang rekomandimet e ODIHR

Debatet mes mazhorancës dhe opozitës janë rikthyer në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kanë shkëmbyer akuza lidhur me ecurinë e procesit dhe çështjet që duhet të trajtohen me përparësi.

Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi se bojkoti i opozitës po pengon punën e Komisionit, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të rikthehen në tryezën e diskutimeve për të gjetur dakordësi mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjiknuri tha se Partia Socialiste i ka përgatitur propozimet për administratën zgjedhore dhe se është e gatshme të diskutojë edhe për çështje teknike që lidhen me sistemin zgjedhor. Ai theksoi se propozimet e opozitës nuk mund të miratohen automatikisht, por duhet të shqyrtohen dhe të marrin në konsideratë edhe opinionet e OSBE/ODIHR.

Sipas tij, mazhoranca, pavarësisht se disponon 84 mandate në Kuvend, ka pritur edhe qëndrimin e opozitës për të vijuar procesin.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Komisionit nga opozita, Oerd Bylykbashi, akuzoi socialistët se po shmangin trajtimin e rekomandimeve kryesore të OSBE/ODIHR dhe po e zhvendosin diskutimin drejt çështjeve që, sipas tij, nuk përbëjnë prioritet në këtë fazë të reformës.

Bylykbashi u shpreh se ndryshimet duhet të nisin nga ndarja e shtetit nga procesi zgjedhor, duke argumentuar se përdorimi i burimeve shtetërore në fushata cenon barazinë mes subjekteve politike.

Ai bëri të ditur se opozita ka përgatitur një paketë propozimesh për këtë çështje, ndërsa ritheksoi kërkesën për lista 100% të hapura, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato për këshillat bashkiakë.

Sipas Bylykbashit, deri më tani propozimet e opozitës janë kundërshtuar nga mazhoranca pa u zhvilluar një diskutim përmbajtësor mbi to.

“Po rrezikohet ecuria e Komisionit. Nuk duhet përdorur integrimi europian në një tekë. Duhet të gjejmë zgjidhje. Komisioni po bllokohet për shkak të bojkotit të opozitës. Ne kemi gati paketat, qoftë për administratën zgjedhore të paanshme. Ne presim çështje teknike për sistemin”.-tha Gjiknuri.

Ndërsa Bylykbashi deklaroi:

“Ka një mungesë të hapur të përgjegjësisë së PS-së për të trajtuar çështjet kryesore që ka Komisioni i Reformës, që do të thotë të trajtojë çështjet e ngritura nga OSBE/ODIHR. Komisioni konsumon kohën duke u marrë me çështje që nuk janë prioritet”.

Përfaqësuesi i opozitës shtoi se pa një paketë që garanton ndarjen e shtetit nga zgjedhjet, nuk mund të ketë konkurrencë të barabartë mes partive.

Lini një koment