Reforma territoriale nis fazën e dytë pa opozitën, Mazniku fton PD-në t’i bashkohet komisionit
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka nisur këtë të hënë fazën e dytë të punës, por pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të opozitës.
Partia Demokratike ka paralajmëruar bojkotimin e procesit, ndërsa mazhoranca i ka bërë thirrje të ndryshojë qëndrim dhe të bëhet pjesë e diskutimeve për riorganizimin e pushtetit vendor.
Në mbledhjen e kësaj të hëne, komisioni u konstituua zyrtarisht nën drejtimin e deputetit socialist Arbjan Mazniku. Ky i fundit u bëri thirrje demokratëve që të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre dhe të marrin pjesë në punën e komisionit.
Mazniku theksoi se përfundimi i reformës nuk mund të kufizohet vetëm në ndryshimet e trajtuara gjatë fazës së parë, pasi procesi duhet të përfshijë edhe elemente të tjera të organizimit administrativo-territorial të vendit.
Ai e cilësoi përfshirjen e opozitës të rëndësishme për vijimin e punës, duke nënvizuar se komisioni synon të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës.
“Ftoj opozitën të prezantojë në seancë anëtarët e saj. Kjo është një ftesë e hapur për frymën se si ky komision synon të vijojë punën, në mënyrë të hapur e gjithëpërfshirëse. Kjo detyrë e komisionit është kritike, pasi i jep thelb dhe përmbajtje punës që bëmë në fazën e parë, pasi reforma do të quhej e paplotë pa u plotësuar me elementët e tjerë”, u shpreh Mazniku.
Nga Partia Socialiste, në përbërje të komisionit janë deputetët Blendi Klosi, Briseida Çakërri, Besa Spaho, Ermal Pacaj, Onid Bejleri, Aulona Bylykbashi, Klevis Jahaj dhe Ermal Elezi.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Partia Demokratike do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së mazhorancës dhe do të bëhet pjesë e diskutimeve për reformën territoriale.