CNN: Trump përjashton sulmet e reja ndaj Iranit në rast të përparimit në negociata
– Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar objektiva të reja infrastrukturore, që mund të shkatërrohen në rast të rifillimit të sulmeve ushtarake, por ka theksuar se preferon arritjen e një marrëveshjeje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Në një intervistë për CNN, Trump deklaroi se ushtria amerikane, ka identifikuar 38 ura në territorin iranian, të cilat, sipas tij, mund të shkatërrohen brenda një ore.
“Ne kemi 38 ura në shënjestër, të cilat mund t’i rrëzojmë fjalë për fjalë, brenda një ore. Të gjitha do të shkatërroheshin”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai përmendi gjithashtu centralet elektrike, si objektiva të mundshme në rast se rifillojnë operacionet ushtarake.
Megjithatë, Trump u shpreh se nuk dëshiron të shkojë drejt një përshkallëzimi të ri ushtarak, pasi shkatërrimi i infrastrukturës, do t’i shkaktonte dëme të mëdha Iranit dhe do ta bënte rindërtimin e vendit shumë të vështirë.
“Nuk dua ta bëj këtë, sepse në thelb do të duhen 10 vjet për t’i rindërtuar. Nuk më pëlqen të shkatërroj ura. Gjëja më e vështirë për t’u ndërtuar është një urë. Kërkon vite”, tha Trump.
I pyetur për mundësinë e rifillimit të luftës, presidenti amerikan u shpreh se një ndërhyrje e re ushtarake, është shumë pak e mundshme, nëse negociatat me Teheranin përparojnë dhe palët arrijnë një marrëveshje të fortë.
“Kjo varet nëse ata do të nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë. Përgjigjja është se ka shumë pak gjasa që kjo të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.
Trump përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të gatshme të ndërmarrin veprime ushtarake nëse negociatat dështojnë, duke pretenduar se forcat amerikane kanë dobësuar ndjeshëm, kapacitetet ushtarake të Iranit.
Sipas tij, Irani ka ruajtur vetëm rreth 10% të kapaciteteve të mëparshme, për prodhimin e raketave dhe rreth 15% të kapaciteteve për prodhimin e dronëve, pasi sulmet amerikane kanë shkatërruar një pjesë të madhe të fabrikave dhe infrastrukturës ushtarake iraniane.
Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se Irani po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, duke përmendur një normë inflacioni prej 301%.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë forca të konsiderueshme ushtarake në rajon dhe se tre aeroplanmbajtëse amerikane janë të gatshme për veprim.
“Ne jemi gati. I kemi tre aeroplanmbajtëse këtu. Të tria janë plotësisht të pajisura dhe të gatshme për veprim”, u shpreh ai.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata Trump vazhdon të preferojë një zgjidhje diplomatike, por pranoi se negociatat me Iranin nuk kanë shënuar përparim të rëndësishëm.
Duke folur për gazetarët përpara udhëtimit drejt Parisit, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7-s, Rubio tha se palët nuk janë ende afër një marrëveshjeje.
Ai i cilësoi kërkesat e Teheranit si të papranueshme dhe jorealiste për Uashingtonin.
Kushtet e paraqitura nga Irani, përfshijnë përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, heqjen e sanksioneve, zhbllokimin e aseteve financiare iraniane, kompensimin për dëmet e luftës dhe përfundimin e armiqësive në rajon, përfshirë operacionet izraelite në Liban.
Në përpjekje për të kapërcyer dallimet mes palëve, Katari po luan rolin e ndërmjetësit mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Trump pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndërsa në takim pritet të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.
Bisedimet synojnë të afrojnë qëndrimet për programin bërthamor të Iranit dhe kushtet për përfundimin e konfliktit.
Ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, tensionet në rajon mbeten të larta.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vijuar edhe me sulme të kufizuara ndaj objektivave iraniane, ndërsa incidentet në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe furnizimin global me energji.
Trump theksoi se nuk e konsideron të nevojshme një fushatë të re ushtarake, nëse Irani pranon kushtet e një marrëveshjeje të fortë, por paralajmëroi se Uashingtoni është i përgatitur për çdo skenar nëse diplomacia dështon. /