E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›TURQI – Shpërthimi në një uzinë çeliku në Izmir, 10 të vdekur dhe 15 të plagosur

TURQI – Shpërthimi në një uzinë çeliku në Izmir, 10 të vdekur dhe 15 të plagosur

IZMIR, 9 nëntor /ATSH – AA/ – Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një uzinë të përpunimit të çelikut pranë qytetit portual të Izmirit, në perëndim të Turqisë.

Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, i cili konfirmoi se viktimat dhe të plagosurit janë punonjës të uzinës. Sipas mediave turke, katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.

Shpërthimi ndodhi rreth mesditës së të hënës në uzinën “Habas Demir Celik”, në zonën e Aliagës, rreth 60 kilometra në veri të Izmirit. Pas shpërthimit, në ambientet e fabrikës shpërtheu edhe një zjarr i madh.

Sipas agjencisë së lajmeve DHA, dyshohet se shpërthimi u shkaktua nga shembja e një vinçi portik brenda një furre të madhe industriale, në momentin kur po kryhej procesi i derdhjes së çelikut të shkrirë.

Pamjet nga vendngjarja treguan shtëllunga të dendura tymi të zi që ngriheshin mbi uzinë, ndërsa flakët përfshinë një pjesë të strukturës industriale.

Dëshmitarët përshkruan shpërthimin si një ngjarje të ngjashme me tërmetin. Një person që po kalonte pranë fabrikës tha se ndjeu tokën të dridhej nën këmbë, ndërsa një drejtues kamioni që punonte në uzinë e krahasoi shpërthimin me një bombë.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për të nxjerrë punonjësit që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, njoftoi hapjen e një hetimi për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë për tragjedinë.

Lini një koment