Kriza e publikut në kinema, sfida e filmit autor për të mbijetuar në ekranin e madh
TIRANË, 9 nëntor, ATSH/ Ekziston një ironi e vogël kinematografike në atë që ndodhi këtë të diel në Millennium, në Tiranë. Martin McDonagh, regjisori që dikur na solli “Seven Psychopaths” (Shtatë psikopatët), shfaqet sërish në ekran me “Wild Horse Nine”. Në sallë janë shtatë spektatorë.
Nëse McDonagh do të ishte ulur në atë sallë, ndoshta do të kishte gjetur aty material për një skenë të re të humorit të tij të zi.
Por kjo nuk është një skenë filmi. Është një e diel e zakonshme në një kinema të Tiranës.
Pyetja që lind nuk është pse publiku nuk shkon ta shoh këtë film. Ndoshta kishin plane të tjera, ndoshta nuk e dinin se po shfaqej, ndoshta zgjodhën një komedi. Pyetja më interesante është se çfarë ndodh me filmat që kërkojnë pak më shumë nga spektatori sesa dy orë argëtim.
“Wild Horse Nine” nuk është një film që përpiqet të të bëjë të ndihesh mirë me çdo kusht. Në botën e McDonagh-ut, njerëzit janë të papërsosur, morali është i ndërlikuar dhe humori shpesh shfaqet pikërisht aty ku nuk do të duhej. Përmes dy agjentëve të CIA-s, të interpretuar nga John Malkovich dhe Sam Rockwell, filmi prek fajin, plakjen, dhunën politike dhe atë çast të jetës kur njeriu fillon të pyesë veten se çfarë ka bërë me kohën që i është dhënë.
Nuk është domosdoshmërisht filmi më i mirë i McDonagh-ut. Kritikët kanë vënë në dukje edhe teprimet e tij, sidomos mënyrën se si humori i zi përplaset me tragjedinë historike. Por një film nuk ka nevojë të jetë i përsosur për të merituar një diskutim. Ndonjëherë, edhe një film që na ndan në mendime është më interesant se një film që na lë të gjithëve njësoj të kënaqur.
Kur filmi nuk ka kohë të gjejë spektatorin
Problemi i filmit autor nuk është vetëm se shet më pak bileta. Është se shpesh nuk i jepet koha të bëjë atë që arti ka bërë gjithmonë: të gjejë publikun e vet.
Në kinematë tona, disa prej këtyre filmave qëndrojnë vetëm pak ditë në program. Nëse shfaqjet e para nuk sjellin numrin e pritur të spektatorëve, filmi largohet dhe zëvendësohet nga një tjetër me më shumë potencial komercial.
Nga pikëpamja ekonomike, kjo është e kuptueshme. Kinemaja nuk mund të funksionojë pa bileta të shitura. Por nga pikëpamja kulturore, është një humbje që nuk llogaritet në arkë.
Krijohet një paradoks: publikut i kërkohet të zbulojë filma të ndryshëm, por disa prej tyre zhduken nga ekrani përpara se ai të ketë mundësi t’i zbulojë.
Në Londër, Paris apo Nju-Jork ekzistojnë kinema që e kanë kthyer këtë sfidë në identitetin e tyre. BFI Southbank, Cinémathèque française dhe Film Forum nuk presin vetëm që publiku të vijë. Ata e ftojnë, e edukojnë dhe e rikthejnë përmes retrospektivave, filmave klasikë, cikleve të regjisorëve dhe diskutimeve që e vazhdojnë përvojën përtej titrave të fundit.
Këto kinema e kanë kuptuar se një film i vitit 1950 mund të jetë po aq emocionues për një spektator të vitit 2026 sa një premierë e re. Dhe se një vepër që nuk ka qenë kurrë një sukses i madh në arkë mund të fitojë një jetë të dytë, kur dikush i krijon mundësinë të shihet.
Publiku nuk është armiku i artit
Është e lehtë të fajësohet publiku. Të thuhet se njerëzit duan vetëm komedi, aksion, histori romantike dhe filma që nuk kërkojnë shumë përqendrim. Por kjo do të ishte një mënyrë e padrejtë për ta mbyllur debatin.
Publiku nuk ka detyrimin të pëlqejë çdo film të vështirë. Ka të drejtë të kërkojë argëtim, të qeshë dhe të harrojë për pak orë përditshmërinë. Por ka edhe të drejtë të zbulojë diçka që nuk e kishte kërkuar më parë.
Këtu hyn në lojë përgjegjësia e kinemave, e festivaleve, e kritikës dhe e institucioneve kulturore. Nuk mund të presësh që një brez të dashurohet me kinemanë autoriale nëse nuk e ka takuar kurrë atë. Nuk mund të kërkosh publik për filma klasikë nëse nuk organizon shfaqje të tyre. Dhe nuk mund të ankohesh për mungesën e interesit, nëse nuk investon në krijimin e tij.
Platformat digjitale dhe algoritmet na ofrojnë gjithnjë e më shumë nga ajo që kemi parë më parë. Kinemaja mund të bëjë të kundërtën: të na nxjerrë nga preferencat tona, të na çojë drejt një regjisori që nuk e njohim, një historie nga një vend i largët apo një filmi që na shqetëson më shumë sesa na kënaq.
Çfarë mbetet pasi mbyllet perdja?
Roger Ebert besonte se filmat janë një makinë që gjeneron empati:”Na lejojnë të jetojmë për pak kohë në botën e dikujt tjetër”. Kjo është ndoshta një nga arsyet më të mira për të mbrojtur larmishmériné e kinemasë.
Jo çdo film duhet të na pëlqejë. Jo çdo film duhet të na argëtojë. Por është e rëndësishme të kemi mundësinë të shohim histori që na bëjnë të kuptojmë njerëz të tjerë, kohë të tjera dhe realitete që nuk janë tonat.
Shtatë spektatorët e Millennium-it nuk janë një statistikë që mund të përfaqësojë shijet e një qyteti apo të një vendi. Por janë një imazh që të mbetet në mendje. Një sallë e madhe, një film që vjen nga një prej regjisorëve më interesantë të kinemasë bashkëkohore dhe vetëm shtatë njerëz që kanë zgjedhur të jenë aty.
Ndoshta nuk duhet të pyesim vetëm pse ishin shtatë. Duhet të pyesim edhe sa filma të tjerë nuk arrijnë të takojnë publikun e tyre, sa regjisorë mbeten jashtë ekranit dhe sa histori nuk i dëgjojmë sepse nuk u dhamë kohë.
Në fund, kinemaja nuk është vetëm ajo që shohim në ekran. Është edhe ajo që ndodh në errësirën e sallës, mes njerëzve që nuk njihen me njëri-tjetrin, por që për dy orë ndajnë të njëjtën histori.
Dhe ndonjëherë, shtatë njerëz mjaftojnë për ta mbajtur gjallë atë përvojë. Por nuk duhet asesi të kënaqemi me kaq.