E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“Financial Times”: Merz paralajmëron bllokimin e buxhetit të BE-së nëse nuk sigurohet financimi i Kievit

“Financial Times”: Merz paralajmëron bllokimin e buxhetit të BE-së nëse nuk sigurohet financimi i Kievit

– Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se Gjermania do të bllokojë miratimin e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian, nëse të gjitha vendet anëtare, nuk angazhohen të kontribuojnë në financimin e Ukrainës gjatë vitit 2027 dhe në vitet në vijim, sipas “Financial Times”.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, Merz ka kushtëzuar mbështetjen e Gjermanisë për buxhetin e BE-së për periudhën 2028-2034, me arritjen e një marrëveshjeje mes të gjitha vendeve anëtare për mbështetjen financiare të Kievit.

Sipas letrës, të parë nga gazeta britanike “Financial Times”, Ukraina përballet me një mungesë financimi prej rreth 70 miliardë eurosh për vitin 2027.

“Një angazhim kolektiv, në të cilin të gjithë, pa përjashtim, do të kontribuojmë në mënyrë të drejtë për mbulimin e këtij deficiti financiar të Ukrainës, është një kusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për diskutimin e çdo çështjeje tjetër, veçanërisht atyre që kanë pasoja financiare”, shkruan Merz.

Paralajmërimi i kancelarit gjerman vjen përpara takimit të ardhshëm të liderëve të BE-së në Dublin, ku ai ka kërkuar që çështja e financimit të Ukrainës të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.

Ukrainës i nevojiten edhe 70 miliardë euro në vitin 2027

Udhëheqësit e BE-së kishin rënë dakord në dhjetor të vitit të kaluar, për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Megjithatë, për shkak të vazhdimit të luftës me Rusinë, Kievi ka njoftuar se do të ketë nevojë për 70 miliardë euro të tjera gjatë vitit të ardhshëm.

Bashkimi Evropian është angazhuar të mbulojë rreth dy të tretat e kësaj shume, afërsisht 45 miliardë euro.

Komisioni Evropian po shqyrton disa mundësi për të siguruar financimin, përfshirë emetimin e borxhit të përbashkët nga vendet anëtare, me synimin për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.

Katër vende kundërshtojnë kontributet e reja financiare

Megjithatë, Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Republika Çeke kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshme të kontribuojnë në një paketë të re financiare për Kievin.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke kishin siguruar më parë, përjashtime nga pagesa e interesave për kredinë prej 90 miliardë eurosh të miratuar nga BE-ja për Ukrainën.

Në letrën drejtuar António Costës, Merz thekson gjithashtu nevojën për një zgjidhje afatgjatë, e cila të garantojë financimin e Ukrainës nga viti 2028 e në vijim, përfshirë edhe pagesën e interesave të borxheve të krijuara në kuadër të ndihmës financiare.

Kancelari gjerman kërkon që financimi i Ukrainës të mos varet vetëm nga vendimet e marra vit pas viti, por të sigurohet përmes një mekanizmi shumëvjeçar.

Gjermania kërkon ndryshimin e rregullave të financimit

Mosmarrëveshjet për ndihmën ndaj Ukrainës zhvillohen paralelisht me negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian, i cili do të zbatohet nga viti 2028 deri në vitin 2034.

Gjermania është kontribuesja më e madhe neto në buxhetin e BE-së, ndërsa disa prej vendeve që kundërshtojnë financimin shtesë të Ukrainës, janë përfitues neto të fondeve evropiane.

Përmes ndikimit të saj në negociatat buxhetore, Berlini synon të sigurojë një shpërndarje më të drejtë të barrës financiare, mes vendeve anëtare dhe të garantojë mbështetjen afatgjatë për Kievin.

Qeveria gjermane kërkon gjithashtu që vendimet e ardhshme për financimin e Ukrainës të mos kërkojnë më unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare, por të mund të miratohen me shumicë të cilësuar.

Kjo do të kufizonte mundësinë që një shtet i vetëm të bllokonte vendimet përmes vetos.

Një zyrtar i qeverisë gjermane ka theksuar se nevojat financiare të Ukrainës duhet të zgjidhen në kuadër të buxhetit të ardhshëm të BE-së dhe se mbështetja financiare nga të gjitha vendet anëtare, është thelbësore për përfundimin me sukses të negociatave buxhetore.

Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Poloninë, mund t’i vështirësojnë më tej negociatat për financimin e Ukrainës, në një kohë kur mbështetja ndaj Kievit mbetet një nga çështjet kryesore të politikës evropiane. /

Lini një koment