E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për resortet mikse: 60% e sipërfaqes për turizëm pjesa tjetër për banesa!

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për resortet mikse: 60% e sipërfaqes për turizëm pjesa tjetër për banesa!

Qeveria ka vendosur që në projektet e reja të resorteve mikse, të cilat kombinojnë strukturat turistike me banesat, sipërfaqja e ndërtimit për funksione rezidenciale të mos kalojë 40% të totalit, ndërsa të paktën 60% duhet të jetë e destinuar për funksione turistike.

Vendimi përcakton gjithashtu se apartamentet, vilat dhe dhomat e parashikuara për akomodim turistik në projektet e reja nuk mund të kategorizohen si struktura të veçanta, por duhet të përfshihen në administrimin e përbashkët të resortit. Rregullat e reja janë përcaktuar në vendimin nr. 842, datë 5 nëntor 2026, të Këshillit të Ministrave, të botuar të botuar këtë të hënë në Fletoren Zyrtare.

“Në zhvillimin e kategorisë ‘resort miks’, sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit turistik duhet të jetë jo më e vogël se 60 për qind e shumës së sipërfaqeve totale të ndërtimit të komponentit turistik dhe të komponentit rezidencial”, përcakton vendimi.

Raporti llogaritet mbi sipërfaqen totale të ndërtimit dhe përfshin edhe ambientet e përbashkëta, të cilat shpërndahen ndërmjet komponentit turistik dhe atij rezidencial sipas përdorimit. Dokumentacioni i projektit duhet të identifikojë sipërfaqet për çdo objekt, kat dhe funksion, ndërsa përllogaritjet nënshkruhen nga projektuesi përgjegjës dhe subjekti zhvillues.

Vendimi përcakton se në projektet e reja, apartamentet, vilat dhe dhomat e destinuara për akomodim turistik duhet të jenë pjesë e komponentit turistik të resortit dhe të mbulohen nga certifikata e tij.

“Njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen si akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë ‘resort’”, thuhet në dokument.

Në resortet mikse, njësitë e përcaktuara për përdorim rezidencial nuk i nënshtrohen kategorizimit si struktura akomoduese. Kalimi i tyre në përdorim turistik mund të bëhet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të legjislacionit për turizmin dhe zhvillimin e territorit. Pas miratimit, ato përfshihen në komponentin turistik dhe në administrimin e përbashkët të resortit.

Një tjetër ndryshim lidhet me certifikimin përpara marrjes së lejes së ndërtimit. Zhvilluesit e strukturave të reja akomoduese duhet të pajisen fillimisht me certifikatën paraprake të kategorizimit nga ministria përgjegjëse për turizmin. Dokumenti vërteton përputhshmërinë e projektit me kriteret e kategorisë së propozuar, por nuk zëvendëson lejen e ndërtimit. Për strukturat që kanë marrë leje ndërtimi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 83/2026, certifikata paraprake nuk kërkohet. Ndërsa projektet që nuk e kanë marrë ende lejen përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet t’i nënshtrohen procedurës së re.

Certifikatat ekzistuese mbeten të vlefshme
Vendimi ruan vlefshmërinë e certifikatave të kategorizimit të lëshuara më parë për apartamentet, vilat, dhomat, blloqet e apartamenteve dhe hotelet e shpërndara.

“Njësitë e akomodimit turistik të pajisura me këto certifikata vijojnë ushtrimin e veprimtarisë sipas kategorisë së certifikuar”, përcakton dokumenti, duke kërkuar respektimin e detyrimeve ligjore në fuqi.

Për kërkesat e reja, qeveria ka përcaktuar kategoritë bujtinë, fjetinë, kamping, hotel, motel, resort, qendër kurative, fjetje dhe mëngjes (B&B), apart-hotel dhe strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore. Resorti miks përcaktohet si nënkategori e resortit, vetëm për qëllime të certifikimit paraprak. Kategoria “apart-hotel” përfshin apartamente të destinuara për akomodim turistik, që mund të jenë në pronësi individuale, por që funksionojnë nën administrim dhe menaxhim të përbashkët, me recepsion ose pritje të përbashkët./ Monitor

Lini një koment