PARAGUAJ – Shkarkohet dhe arrestohet pas skandalit bankar, hetuesit zbulojnë kasafortë të fshehtë në vilën e ish-presidentit
– Hetuesit në Paraguaj po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të eksplozivëve, për të hapur një kasafortë të blinduar, të zbuluar pas një muri të rremë, në vilën luksoze të ish-presidentit Santiago Pena, gjatë kontrollit të pronës në kuadër të hetimeve për skandalin bankar të “Ueno Bank”, raportoi “Reuters”.
Sipas medias vendase, autoritetet arritën të hapnin derën e parë të kasafortës, por u përballën me një pengesë të dytë sigurie, të cilën nuk kanë mundur ta kapërcejnë.
Brenda saj mund të ketë dokumente ose sende me rëndësi për hetimin, por deri tani nuk dihet se çfarë përmban ambienti i fshehtë.
Kontrolli nisi dje në rezidencën verore të Penas, në zonën Ciervo Cuá të qytetit San Bernardino, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti Asunsion.
Operacioni u drejtua nga prokurorët dhe forcat e policisë, të cilat u rikthyen në pronë edhe sot në mëngjes për të vijuar kërkimet.
Prokurori Christian Benítez tha se kasaforta është e pajisur me një sistem të sofistikuar sigurie, që përfshin njohjen e fytyrës ose të irisit të syrit, identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve, kode personale dhe çelësa të posaçëm.
Autoritetet po shqyrtojnë disa mënyra për të hyrë në të, përfshirë përdorimin e ekspertëve teknikë, hapjen e mekanizmit të bravës ose një shpërthim të kontrolluar.
Një tjetër mundësi është kërkimi i ndihmës së familjarëve të ish-presidentit përmes sistemit biometrik.
Megjithatë, hetuesit duhet të vlerësojnë rreziqet përpara çdo ndërhyrjeje, pasi mbi ambientin e fshehtë ndodhet një pishinë. Deri tani, prokuroria nuk ka konfirmuar nëse brenda kasafortës ka para, dokumente apo sende të tjera me vlerë.
Zbulimi i saj ka rritur interesin për kontrollin e pasurisë së ish-presidentit, i cili ndodhet në paraburgim pas shkarkimit nga detyra dhe arrestimit në kuadër të hetimeve për kolapsin e bankës Ueno.
Si nisi skandali që rrëzoi presidentin?
Kriza shpërtheu më 3 nëntor, kur Banka Qendrore e Paraguajit ndërhyri në “Ueno Bank”, një prej institucioneve më të mëdha financiare digjitale në vend, pasi konstatoi probleme serioze me kapitalin dhe aftësinë e saj për të përmbushur detyrimet financiare.
Mbyllja e bankës la rreth 2,9 milionë klientë pa akses në llogaritë dhe kursimet e tyre. Bëhet fjalë për një numër shumë të madh njerëzish, duke pasur parasysh se Paraguai ka rreth 6,5 milionë banorë.
Situata shkaktoi protesta në disa qytete, ndërsa qytetarët kërkuan kthimin e parave dhe përgjegjësinë e drejtuesve të institucionit financiar.
Por kriza nuk mbeti vetëm një çështje bankare. Hetimet zbuluan lidhje të mëparshme financiare mes ish-presidentit Pena dhe grupit të biznesit që zotëronte bankën, si dhe depozita të konsiderueshme të fondeve publike në këtë institucion.
Sipas hetimeve, më shumë se 800 milionë dollarë nga institucione shtetërore ishin depozituar në “Ueno Bank”.
Prokuroria po shqyrton nëse ndikimi politik i Penas, është përdorur për të favorizuar bankën, ndërkohë që autoritetet mbikëqyrëse nuk ndërhynë në kohë për të parandaluar kolapsin e saj.
Largimi i Penas nga pushteti dhe arrestimi
Më 6 nëntor, Senati i Paraguajit votoi për shkarkimin e Santiago Pena nga posti i presidentit, pas procedurës së nisur për shkak të skandalit bankar. Të 44 senatorët e pranishëm mbështetën largimin e tij nga detyra.
Pena kishte paraqitur dorëheqjen një ditë më parë, por Kongresi nuk e pranoi kërkesën dhe vijoi procedurën e shkarkimit.
Pas vendimit, zëvendëspresidenti Pedro Alliana u betua si presidenti i ri i vendit, me detyrën për të përfunduar mandatin deri në gusht 2028.
Ish-presidenti u arrestua dhe u dërgua në një strukturë ushtarake, ndërsa gjykata vendosi mbajtjen e tij në paraburgim gjatë hetimeve.
Prokuroria po heton dyshimet për shkelje të besimit dhe administrim të pasurisë në interes personal.
Hetuesit dyshojnë se Pena ka përdorur ndikimin e tij politik, për të favorizuar Bankën Ueno, me të cilën kishte pasur lidhje financiare. Pena i ka mohuar akuzat.
Kredia bankare për vilën luksoze
Një prej elementeve kryesore të hetimit është edhe financimi i rezidencës ku u zbulua kasaforta e fshehtë.
Sipas dokumenteve të hetimit, në maj 2024, gjatë kohës që ishte president, Pena mori dy kredi nga “Ueno Bank”, në vlerën e përgjithshme prej rreth 600 mijë dollarësh.
Paratë dyshohet se u përdorën për ndërtimin e vilës në San Bernardino, e cila vlerësohet të ketë kushtuar rreth 1,1 milionë dollarë.
Prokurorët kanë ngritur pikëpyetje edhe për këstet mujore të kredive, të cilat arrinin në rreth 38 mijë dollarë, afërsisht gjashtë herë më shumë se paga mujore e presidentit.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse kreditë janë dhënë në kushte të favorshme, për shkak të marrëdhënieve të mëparshme të Penas me grupin që zotëronte bankën.
Ndërkohë, presidenti i ri, Pedro Alliana ka deklaruar se autoritetet kanë nisur procesin e kthimit të depozitave, për klientët e prekur nga mbyllja e bankës.
Sipas të dhënave të raportuara, deri më 9 nëntor rreth 1,2 milionë klientë kishin marrë plotësisht ose pjesërisht paratë e tyre, me një vlerë totale prej afro 158 milionë dollarësh.
Hetimet për kolapsin e Ueno Bank”, përgjegjësinë e ish-presidentit dhe pasuritë e tij vijojnë, ndërsa përmbajtja e kasafortës së fshehtë mbetet ende e panjohur./