FOKUS – Bordi i Paqes i bën thirrje Izraelit dhe Hamasit të përmbushin angazhimet për Gazën
GAZA, 9 nëntor /ATSH-AFP/- Bordi i Paqes i ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të përmbushin angazhimet e tyre, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura në Rripin e Gazës kanë krijuar një emergjencë të menjëhershme humanitare.
Në një deklaratë të publikuar sot, Bordi i Paqes theksoi se Izraeli duhet të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave dimërore dhe materialeve për strehimin e banorëve të zhvendosur.
Deklaratë e Bordit të Paqes mbi përmbytjet e fundit dhe nevojat urgjente për përballimin e dimrit në Gaza:
“Bordi i Paqes shpreh shqetësim të thellë për përmbytjet e rënda sezonale që kanë goditur Gazën gjatë dy ditëve të fundit, duke përmbytur dhjetëra mijëra çadra dhe strehime të improvizuara, si dhe duke dëmtuar furnizimet jetike të familjeve.
Si pasojë, familje që jetonin tashmë në kushte të pasigurta janë lënë të ekspozuara ndaj të ftohtit dhe motit të vështirë.
Situata nuk përbën më thjesht një kërcënim nga dimri që po afron, por një emergjencë të menjëhershme humanitare.
Lejimi i hyrjes dhe shpërndarja urgjente e materialeve për strehim, pajisjeve sanitare, sistemeve të kullimit dhe furnizimeve të tjera, të nevojshme për dimrin janë thelbësore për mbrojtjen e jetës së civilëve.
Gjatë vitit të kaluar, falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Bordit të Paqes, është shënuar përparim i rëndësishëm humanitar në Gaza.
Aksesi në ushqim tashmë është siguruar për të gjithë popullsinë, ndërsa treguesit ushqimorë janë përmirësuar ndjeshëm.
Këto arritje janë thelbësore dhe duhet të ruhen e të përforcohen, në vend që të rrezikohen nga emergjenca humanitare që mund të parandalohen.
Prej disa muajsh, Bordi i Paqes ka paralajmëruar për kushtet e rënda që po shfaqen aktualisht dhe u ka bërë vazhdimisht thirrje të gjitha palëve, të përmbushin angazhimet e tyre në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes të Presidentit.
Ne i kemi kërkuar në mënyrë të posaçme qeverisë izraelite, të autorizojë hyrjen e materialeve thelbësore për strehimin e përkohshëm, furnizimin me ujë dhe infrastrukturën e kanalizimeve, menaxhimin e mbetjeve, sistemet e kullimit dhe largimin e ujërave të zeza, si dhe të përmbushë angazhimet e saj, sipas Protokollit të Sharm El-Sheikhut për Ndihmën Humanitare.
Në të njëjtën kohë, i kemi bërë vazhdimisht presion Hamasit që të pranojë dorëzimin e armëve, të çarmatoset dhe të përmbushë detyrimet e tij sipas Planit.
Mosrespektimi i këtyre angazhimeve ka penguar përparimin dhe ka përkeqësuar sfidat me të cilat përballet popullsia civile e Gazës.
Ndonëse i njohim hapat që po shqyrton qeveria izraelite, përfshirë ata të Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), reagimi mbetet i pamjaftueshëm.
I bëjmë thirrje udhëheqjes së qeverisë aktuale izraelite të veprojë menjëherë, për të autorizuar hyrjen e të gjitha furnizimeve të nevojshme për dimrin dhe ndihmës humanitare, si dhe të zbatojë plotësisht angazhimet e saj sipas Planit Gjithëpërfshirës të Paqes.
Vonesat në përmbushjen e angazhimeve të marra në Sharm El-Sheikh kanë rënduar pasojat e një krize humanitare të parashikueshme dhe kanë vonuar ndjeshëm, nisjen e procesit të çarmatimit të Hamasit dhe transferimin e autoritetit nga kjo organizatë te Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).
Gjithashtu, i bëjmë thirrje udhëheqjes së Hamasit të përmbushë angazhimet e saj pa vonesa të mëtejshme.
Aktiviteti i fundit ushtarak në zonat civile dhe pranë pozicioneve izraelite rrezikon jetën e civilëve dhe minon përparimin humanitar të arritur gjatë vitit të kaluar.
Hamasi duhet t’i japë fund këtyre aktiviteteve, të dorëzojë armët dhe të lehtësojë transferimin e plotë të autoritetit qeverisës te NCAG.
Për të qenë të qartë, asgjë nuk e shfajëson Hamasin nga përgjegjësia për nisjen e sulmeve të 7 tetorit 2023, pavarësisht pasojave që ato patën për popullsinë.
I bëjmë thirrje udhëheqjes së Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saj, së bashku me donatorët ndërkombëtarë, të bashkëpunojnë urgjentisht dhe në koordinim me Bordin e Paqes për të mobilizuar burimet, furnizimet dhe mbështetjen operacionale të nevojshme për të përmbushur nevojat e menjëhershme për përballimin e dimrit, për të ruajtur arritjet humanitare dhe për të përshpejtuar tranzicionin e Gazës drejt rimëkëmbjes dhe krijimit të institucioneve civile funksionale.
Koha për deklarata dhe garanci pa zbatim konkret ka kaluar. Të gjitha palët duhet të tregojnë urgjencën, seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkon kjo situatë.
Angazhimet duhet të shndërrohen në veprime të menjëhershme dhe të matshme.
Palët që nuk përmbushin detyrimet e tyre përkatëse do të mbajnë përgjegjësi për pasojat.
Populli i Gazës nuk mund të përballojë vazhdimin e mosveprimit, ashtu siç nuk mund ta përballojë atë as perspektiva e një paqeje të qëndrueshme”.
Bordi i Paqes është pjesë e planit të mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump për të ardhmen e Gazës, i cili parashikon armëpushimin, rindërtimin e territorit dhe krijimin e një strukture të re administrimi. /