E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Gjermania kërcënon me bllokimin e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së nëse nuk financohet Ukraina

FOKUS – Gjermania kërcënon me bllokimin e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së nëse nuk financohet Ukraina

BERLIN, 9 nëntor /ATSH -AA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërcënuar se do të bllokojë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian, nëse çdo shtet anëtar nuk angazhohet për mbështetje financiare për Ukrainën, raportoi të hënën gazeta Financial Times.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilën e ka parë gazeta, Merz e ka kushtëzuar mbështetjen e Gjermanisë për kornizën financiare shumëvjeçare 2028-2034 me arritjen e një marrëveshjeje unanime për të ndihmuar në mbulimin e deficitit të parashikuar financiar të Ukrainës prej 70 miliardë eurosh.

“Një angazhim kolektiv që të gjithë ne, pa përjashtim, të kontribuojmë në mënyrë të drejtë për mbulimin e deficitit [financiar të Ukrainës] është një parakusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për diskutimin e çdo çështjeje tjetër, veçanërisht atyre që kanë pasoja financiare”, ka shkruar Merz, sipas gazetës.

Paralajmërimi vjen pak ditë para se liderët e BE-së të mblidhen të premten në Dublin për një samit joformal, ku Merz ka këmbëngulur se duhet të trajtohet mungesa e fondeve.

Dhjetorin e kaluar, blloku miratoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin, që mbulon vitet 2026 dhe 2027, por zyrtarët ukrainas dhe aleatët e saj thonë se shkalla e ofensivës së vazhdueshme ushtarake të Rusisë kërkon shumë më tepër fonde.

Komisioni Evropian po shqyrton mundësitë për të mbuluar rreth dy të tretat e nevojave shtesë, ose afërsisht 45 miliardë euro, me synimin për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.

Sipas raportimeve të mediave, katër shtete anëtare të BE-së – Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Çekia – kanë bërë të ditur se nuk do të kontribuojnë me fonde shtesë.

Lini një koment