I riu hyn me hanxhar në një lokal në Dukat të Vlorës dhe kërcënon të pranishmit
Siç njofton Shqiptarja.com, ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 9 nëntorit në një lokal në fshatin Dukat të Vlorës. Një person i maskuar me kapuç ka hyrë në lokal me një hanxhar në dorë dhe ka kërcënuar personat që ndodheshin aty, duke shkaktuar panik mes klientëve.
Në videon e siguruar nga Report Tv, ai dëgjohet duke bërtitur “Hajde çikë jashtë, je gangster ti!” ndaj një djali që ndodhej te banaku. Dy klientë dolën me shpejtësi nga lokali, personi e shtyu djalin, ndërsa një burrë ndërhyri në mes dhe një i tretë me shkop në dorë u përpoq ta frenonte.
Burime nga policia bëjnë me dije për Shqiptarja.com se ngjarja dyshohet të ketë ardhur pas konflikteve të mëparshme. Disa persona dyshonin se ky person ishte autor i vjedhjeve të ndodhura së fundmi në zonën e Dukatit, dhe ai vetë dyshohet se ishte dhunuar disa ditë më parë, së bashku me të atin. Babë e bir u dërguan për mjekim në spital me plagë në trup e në kokë.
Në zonën e Dukatit janë raportuar kohët e fundit disa raste vjedhjesh. Deri tani nuk ka një denoncim zyrtar në polici për episodin në lokal dhe nuk dihet nëse personi do të shoqërohet në polici.