SHBA – Hegseth në shënjestër të procedurës për shkarkim, e cilëson atë si “skenar politik”
UASHINGTON, 10nëntor /ATSH – DPA/ – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi si një “skenar politik” nisjen e procedurës për shkarkimin e tij, për shkak të mënyrës se si ka menaxhuar luftën në Iran dhe operacionet e shumta ushtarake të ndërmarra nga administrata Trump.
Ministri i Mbrojtjes, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra në favor të ndërhyrjeve ushtarake, është lënë gjithnjë e më shumë në hije pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit më 3 nëntor.
Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë përmendur ofensivën kundër Teheranit si një nga arsyet e humbjes së tyre elektorale.
Procedura për shkarkimin e Hegseth u iniciua të hënën në Kongres nga republikani Thomas Massie, një ligjvënës në fund të mandatit, i njohur për kritikat ndaj presidentit amerikan.
“Përpjekja e një deputeti të mundur dhe të zhgënjyer nuk është një proces mbikëqyrjeje apo një përpjekje për të kërkuar llogari.
Është një skenar politik, një manifest personal i nxitur nga egoja dhe pakënaqësia”, deklaroi Hegseth gjatë një konference të rrallë për shtyp.
Ai shtoi se Massie po përpiqet të dëmtojë presidentin, vendin dhe, sipas tij, në mënyrë të papërgjegjshme, edhe ushtarët që e mbrojnë atë.
Ish-prezantuesi i televizionit “Fox News” e cilësoi nismën si një “farsë dhe një spektakël mediatik”.
Projekt-teksti i paraqitur nga Thomas Massie mund të hidhet në votim në Dhomën e Përfaqësuesve që të mërkurën.
Nëse miratohet, ministri do të përballet zyrtarisht me akuzat, përpara një procesi gjyqësor në Senat, ku për shkarkimin e tij kërkohet një shumicë prej dy të tretash.
Megjithatë, arritja e kësaj shumice konsiderohet e vështirë, edhe në janar, kur pritet që demokratët e rinj të marrin kontrollin e Kongresit.
Presidenti Donald Trump reagoi në platformën Truth Social, duke mbështetur ministrin e tij.
“Pete Hegseth meriton notën A PLUS PLUS PLUS për mënyrën se si u mbrojt përballë Thomas Massie, një ish-deputeti të zhgënjyer, të mundur dhe të zemëruar. Një dështim total”, shkroi Trump, duke iu referuar sistemit amerikan të vlerësimit shkollor.